Ballina Aktualitet Rekord i ri nxehtësie në Tokë

Rekord i ri nxehtësie në Tokë

Temperatura e planetit arriti rekorde të reja të martën në ditën më të nxehtë të të paktën 44 viteve të fundit, dhe ndoshta edhe shumë më gjatë se kaq. E mërkura gjithashtu mund të bëhet dita e tretë me radhë që Toka arrin jozyrtarisht rekord të ri nxehtësie, treguesi më i fundit ky në një seri fenomenesh ekstreme të lidhura me ndryshimin klimatik që kanë alarmuar, por jo surprizuar, shkencëtarët.

Temperatura mesatare e globit arriti në 17.18 gradë Celcius të martën, sipas Universitetit të Meinit, i cili përdor sistemin Climate Reanalyzer që analizon të dhëna satelitore dhe simulime kompjuterike për të prodhuar një pamje të përgjithshme të gjendjes së planetit.

Të hënën, temperatura mesatare ishte 17.01 gradë Celcius, duke thyer kështu rekordin, që zgjati vetëm 24 orë.Megjithëse këto nuk janë të dhëna zyrtare të Administratës Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën, drejtuesja e saj shkencore Sarah Kapnick tha se “kjo na jep një tregues për situatën ku gjendemi”. Megjithëse të dhënat që përdoren për këtë bilanc jozyrtar shtrihen vetëm deri në vitin 1979, zonja Kapnick tha se është ndoshta dita më e nxehtë që “mund të kemi përjetuar në disa qindra vite”.

Sipas zonjës Kapnick, dita e mëparshme më e nxehtë ka qenë në gusht 2021.

“Një rekord si ky është një tjetër element evidence për propozimin e mbështetur tashmë gjerësisht se ngrohja globale po na çon drejt një të ardhmeje më të nxehtë”, tha shkencëtari i klimës nga Universiteti Stanford, Chris Field, i cili nuk mori pjesë në procesin e përllogaritjeve.

Ndërsa shumë vende po përjetojnë temperatura në 37.8 gradë Celcius, mesatarja e re mund të mos duket shumë e lartë. Por mesatarja globale e së martës ishte gati një gradë Celcius më e lartë se mesatarja e viteve 1979-2000, që ishte mbi mesataren e shekujve 20 dhe 19.

Temperaturat më të larta përkthehen në kushte brutale për njerëz në mbarë botën. Kur temperaturat arrijnë kulmin, njerëzit i vuajnë pasojat në shëndetin e tyre, në veçanti të rinjtë dhe të moshuarit, të cilët janë më të rrezikuar nga i nxehti, madje edhe në kushte normale./Përkthyer dhe përshtatur nga Associated Press-Limit.al