Xhubleta mbushi fasadat e shtëpive- monument kulture në Gjirokastër në ditët e Festivalit Folklorik Kombëtar

Xhubleta, mbretëresha e kostumeve shqiptare, nën mbrojtjen e UNESCO-s mbushi fasadat e shtëpive monument kulture në Gjirokastër në ditët e Festivalit Folklorik Kombëtar, ngjarja më e madhe e trashëgimisë sonë kulturore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga performanca e organizuar në qytetin e gurtë për prezantimin e xhubletës shqiptare.

https://fb.watch/lwfQDwxJte/?mibextid=v7YzmG

Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor të këtij viti në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.

Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO vitin e kaluar, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste.

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e veshur nga gratë dhe vajzat në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar e ziles. Kryesisht e zezë me motive shumëngjyrëshe të qëndisura, procesi i përpunimit përfshin përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike. Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit. Ajo tregonte statusin social dhe ekonomik të mbajtësit. Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i saj ka qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike.