Ekziston një marrëdhënie shekullore dhe e thellë midis financës dhe shtetit, shkruan The Economist. Shtëpitë e mëdha bankare, si Medicis e Firences, ishin huadhënësit e mundësisë së fundit të institucioneve shtetërore në rrezik falimenti.
Financierët duhej të shmangnin mbështetjen ndaj humbësve, të cilët nuk do të ishin në gjendje të shlyenin borxhet.
Tani janë bankat ato që kërcënojnë të rrëzojnë shtetin; një ndryshim që ka nxitur gjithnjë e më shumë mbikëqyrje nga organet zyrtare. Gjërat ndryshuan ndjeshëm një shekull më parë, me ndërhyrjen gjatë Depresionit të Madh.
Kriza globale financiare e viteve 2007-‘09, e përforcoi këtë prirje. Trazirat e fundit e kanë shtyrë sistemin bankar më shumë në rrugën drejt kontrollit shtetëror.
Më 11 maj, Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave, një rregullator amerikan, zbuloi se bankat e mëdha të vendit përballen me një faturë prej 16 miliardë dollarësh për humbjet që lidhen me dështimet e Bankës Silicon Valley (SVB) dhe Signature Bank.
Kjo shumë ndoshta do të rritet edhe më tepër për të mbuluar rënien e Bankës First Republic. Në Amerikë, Britani dhe Europë, zyrtarët po debatojnë nëse duhet të ofrojnë mbrojtje më bujare për depozitat bankare. Lëvizje të tilla janë vetëm dëshmia më e fundit e pakësimit të fuqisë së bankave dhe rritjes së pushtetit të shtetit.
Gjatë muajve të fundit, në fusha të ndryshme, nga sigurimi i depozitave dhe kreditimi emergjent, deri te rregullimi i cilësisë së aseteve, Leviatani shtetëror është bërë gjithnjë e më mbizotërues.
Bankierët dhe rregullatorët e dinë mirë se ndryshimet në kohë trazirash zakonisht zgjasin. Andrew Haldane, që ka punuar më parë në Bankën e Anglisë, e ka krahasuar rrjetën e sigurisë që u ofrohet bankave me “llastikun që tendoset së tepërmi”. Pasi shtriqet shumë, ai nuk zvogëlohet kurrë në madhësinë e mëparshme.
Për më tepër, tani mund të dallohen edhe zgjerime të mundshme në të ardhmen në kompetencat e shtetit, ndoshta duke përfshirë rregulla shumë më të rrepta mbi kolateralin ose një zhvendosje të paqëllimshme në një të ashtuquajtur sistem bankar të ngushtë. Sa do të zgjerohet më tej shteti?
Për të kuptuar dinamikën në lojë, fillojmë me sigurimin e depozitave, që mendohet se është shpikur nga presidenti Franklin Roosevelt.
Në fakt, ai e kundërshtoi miratimin e kësaj mase në vitin 1934, nga frika se do të “çonte në dobësi në menaxhimin e bankave”, pasi një depozitues i siguruar, nuk duhet të shqetësohet për sigurinë.
Edhe pse vendet e tjera, duke pasur të njëjtën frikë, e miratuan me ngadalë një sigurim të tillë, ai u përhap, duke u aplikuar zakonisht në kohë krize.
Këtë pranverë, rregullatorët amerikanë shkuan më larg se kurrë: duke mbrojtur në mënyrë retrospektive depozituesit në SVB, Signature Bank dhe First Republic. Presidenti, sekretari i Departamentit të Thesarit dhe kryetari i Rezervës Federale, kanë lënë të kuptohet se të gjitha depozitat në banka janë të sigurta.
Kreditimi emergjent është fusha tjetër ku roli i shtetit po rritet. Bankat kanë nevojë për një huadhënës të mundësisë së fundit, sepse ato janë në thelb të paqëndrueshme.
Depozitat janë të rimbursueshme sipas kërkesës; kreditë janë afatgjata. Kështu që asnjë institucion nuk do të ketë para të gatshme kur depozituesit i kërkojnë ato në masë.
Walter Bagehot, ish-redaktor në The Economist, ka këshilluar se, për të shmangur një krizë, bankat qendrore duhet të japin hua lirisht për institucionet e qëndrueshme, të siguruara me kolateral të mirë dhe me një normë interesi si penalizim.
“Programi i financimit me afat bankar”, i paraqitur së fundmi nga Rezerva Federale, e hedh poshtë këtë thënie.
Ai i vlerëson letrat me vlerë afatgjatë në vlerën e tyre origjinale, edhe kur tregu i ka zhvlerësuar shumë ato dhe nuk vendos asnjë penalizim mbi normën e interesit të tregut.
Sa më e madhe të jetë mbështetja, aq më shumë arsye ka qeveria për të diktuar se çfarë rreziqesh mund të ndërmarrin bankat. Këtu qëndron burimi i tretë i kontrollit shtetëror: rregullimi i cilësisë së aseteve.
Bankat kudo u nënshtrohen rregullave që kufizojnë rrezikshmërinë e aseteve të tyre dhe rregullojnë se sa kapital duhet të mbajnë. Rreziku real vjen kur preferencat e politikave ndërhyjnë në rregullat e huadhënies.
Në Amerikë, kjo tashmë ndodh në tregun e hipotekave, i cili mbizotërohet nga dy ndërmarrje të mbështetura nga qeveria: Fannie Mae dhe Freddie Mac. Së bashku, dy institucionet tani sigurojnë rrezikun e kredisë për më shumë se gjysmën e hipotekave.
Garancitë e tyre mundësojnë hipotekat 30-vjeçare me normë fikse dhe me parapagesë, gjë që amerikanët e shohin si të zakonshme.
Ato ndihmojnë gjithashtu për të shpjeguar pse sistemi financiar i Amerikës, rrezikohet më shumë nga norma e interesit se ai i Europës, ku hipotekat me norma të ndryshueshme janë të zakonshme.
Meqenëse Fannie dhe Freddie e marrin përsipër vetë rrezikun e kredisë, ato u ngarkojnë nismëtarëve të borxheve hipotekore “pikë” (si pikë përqindje), të cilat ndryshojnë në varësi të rezultatit të kredisë së huamarrësit dhe raportit hua-vlerë në një pronë.
Ky sistem është arbitrar për huamarrësit, dhe ata që janë në anën e gabuar të vijave ndarëse, dëmtohen rëndë. Dhe në këtë arbitraritet, ndonjëherë imponohen ndërhyrje, për arsye të tjera që nuk kanë të bëjnë me rrezikun e perceptuar.
Më 1 maj, u vendosën rregulla të reja nga Agjencia Federale e Financimit të Strehimit, duke rritur koston për huamarrësit me pikë të larta dhe duke e ulur atë për kolegët e tyre me pikë të ulëta. Qëllimi ishte që të varfrit ta kishin më të lehtë të blinin shtëpi.
Përveç faktit se kredia më e lehtë nuk ndihmon shumë për t’i bërë banesat të përballueshme, qeveria në fakt ka urdhëruar që këto institucione të mos kompensohen siç duhet për rrezikun që marrin përsipër.
Pjesa më e madhe e sistemit bankar po fillon t’i ngjajë financimit të strehimit. Pas krizës globale financiare, rregullatorët rritën jashtëzakonisht ashpërsinë e rregullave mbi bilancet bankare.
Asete të ndryshme tërheqin pesha të ndryshme rreziku, që do të thotë se atje ku një bankë zgjedh të investojë, ndikon në kërkesat e saj të përgjithshme për kapital minimal. Ashtu si çdo përpjekje për të kategorizuar gjërat komplekse, këto peshime rreziku, shpesh do të jenë të gabuara.
Portofoli i huasë i Bankës First Republic, e cila falimentoi më 1 maj, mbante hipoteka për të pasurit që kishin pak rrezik kredie, megjithatë, rregullat u caktonin atyre një peshë të lartë rreziku.
Ndoshta për këtë arsye, rregullatorët premtuan të ndajnë humbjet e kredisë me Bankën JPMorgan Chase, si pjesë e blerjes së huave, duke rezultuar në një peshë më të ulët rreziku. Nuk është se ndokush pret humbje të mëdha. Qeverisë thjesht iu desh të anashkalonte rregullin e saj të gabuar.
Cila është faza e ardhshme e ndërhyrjes së shtetit? Përveç zgjerimit të sigurimit të depozitave, përgjigjja e mundshme e rregullatorëve ndaj trazirave të fundit, do të jetë shtrëngimi i rregullave për rrezikun e normës së interesit.
Rregulloret e sotme i lejojnë bankat të llogarisin vlerën nominale të bonove qeveritare të çdo kohëzgjatjeje, si likuiditet i cilësisë së lartë (d.m.th. fonde që janë të aksesueshme në kohë krize).
Siç kanë mësuar shumë banka muajt e fundit, këto bono bien ndjeshëm në vlerë kur normat rriten. Asetet më të sigurta janë ato të emetuara nga qeveria dhe afatshkurtra.
Megjithatë, sa më shumë obligacione qeveritare afatshkurtra të udhëzohen për të mbajtur bankat, aq më shumë industria bankare do të largohej nga parimi i saj themelor: se qëllimi i bankës është të transformojë depozitat afatshkurtra në asete afatgjata.
Për disa, kjo do të ishte një gjë e mirë. Sistemi i kufizuar bankar, ku institucioneve u kërkohet të mbajnë asete të mjaftueshme likuide për të mbështetur të gjitha depozitat e tyre, u propozua për herë të parë në vitin 1933 si “Plani i Çikagos”, pas shkatërrimit të shkaktuar nga Depresioni i Madh. Disa pjesë të sistemit duken tashmë të ngushta.
Në vitin 2013, fondeve të tregut monetar iu dha qasje në programin Reverse Repo Facility të Rezervës Federale, sipas të cilit, merrnin menjëherë letra me vlerë në këmbim të parave të gatshme, një lehtësi që u zgjerua gjatë pandemisë Covid-19.
Në fakt, amerikanët mund të vendosin para në fondet e tregut monetar, të cilat, nga ana e tyre, i çojnë drejt e te Rezerva Federale, duke e anashkaluar plotësisht sistemin bankar.
Në fondet e tregut monetar janë depozituar rreth 435 miliardë dollarë që kur dështoi SVB-ja, një fluks parash që po ndikon në destabilizimin e bankave.
Një mënyrë tjetër se si sistemi mund të bëhet më i ngushtë, është nëse Rezerva Federale ose banka të tjera të rëndësishme qendrore, krijojnë monedha dixhitale të bankës qendrore, të cilat funksionojnë si alternativa ndaj llogarive bankare.
Një botë e tillë do të sillte problemet e veta. Depozitat nuk janë të dobishme, duke qëndruar bosh. Përfitimet e lidhjes së kursimtarëve, të cilët parapëlqejnë sigurinë dhe likuiditetin, me huamarrësit, të cilëve u pëlqen fleksibiliteti dhe qëndrueshmëria, janë të mëdha.
Ekonomisti Joseph Schumpeter shkroi në vitet 1930 se “një nga tiparet më karakteristike të anës financiare të evolucionit kapitalist, ishte “mobilizimi” i gjithçkaje, madje edhe maturiteteve më të gjata”, në mënyrë që ato të financohen nga huamarrja afatshkurtër. “Kjo nuk është thjesht teknikë. Është një pjesë e thelbit të procesit kapitalist”.
Bankat çlirojnë investime (një motor i shkatërrimit krijues të Schumpeter-it), nga “rutina e abstinencës vullnetare të kursimtarëve”.
Një rrugë alternative mund të jetë të arrijmë në përfundimin se në një botë bankash super të shpejta, si katrahura që rrëzoi bankën SVB, mbështetja emergjente nga bankat qendrore duhet të bëhet më e zakonshme.
Sir Paul Tucker, që dikur punonte në Bankën e Anglisë, i cili ndihmoi në shkrimin e rregullave të paraqitura pas krizës financiare, tha kohët e fundit për Financial Times se bankat duhet të jenë të gatshme t’i ofrojnë bankës qendrore një kolateral të mjaftueshëm për të financuar kredi emergjente që mbulojnë të gjitha depozitat e tyre, në mënyrë që ato të mund të mbijetojnë në rastin e një tërheqjeje totale depozitash.
Kjo do të lehtësonte një metodë tjetër me anë të së cilës shteti kontrollon bankat: listën e aseteve që ai mendon se janë të pranueshme si kolateral për kreditë emergjente. Bankat do të ishin në gjendje të përdornin financimin e depozitave vetëm për të mbajtur asete që kanë një vulë miratimi nga qeveria.
Rol më i madh për qeverinë
Cilado rrugë që të zgjidhet, bota po shkon drejt një roli më të madh për qeverinë dhe një roli më të vogël për aktorët privatë, një fakt që duhet të alarmojë këdo që vlerëson rolin e sektorit privat në gjykimin e rrezikut. Në Kinë dhe në Vietnam, sanksionimi shtetëror i krijimit të kredisë bëhet haptazi.
Bankat më të mëdha zotërohen me shumicë nga qeveria dhe huadhënësit shtetërorë janë të detyruar të mbështesin ndërmarrjet shtetërore të dobëta ose të nxisin rritjen, atëherë kur qeveritë e gjykojnë si të arsyeshme.
Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të spikaten dallime midis sistemit kinez të drejtimit të shkoqur të huadhënies dhe “kontratës sociale” të sistemit perëndimor, ku ekziston një marrje përsipër e rreziqeve nga shteti dhe një masë rregullash që u imponohen bankave në këmbim, në mënyrë që ato të mos abuzojnë me sigurimin që u është garantuar.
Për më tepër, tashmë kanë mbirë farat e shumë krizave bankare për shkak të ndërhyrjes së gabuar të qeverisë në sektorin bankar, veçanërisht për shkak të atyre masave që shtrembërojnë stimujt ose çmimin e rrezikut, paralajmëron Gary Cohn, dikur personi i dyti në komandë në Bankën Goldman Sachs.
Mund të jetë më e lehtë të flesh natën duke e ditur se qeveria ka premtuar të mbrojë të gjitha depozitat, ka dhënë hua bujare për bankat që vazhdojnë të operojnë dhe ka mbushur sistemin me fonde përmes operacioneve të saj të likuidimit. Por ky është pikërisht ai lloj veprimi që do të shkaktojë net pa gjumë në të ardhmen./Monitor-Limit.al