Ballina Bota Gjykata rrëzon planin e Braverman dhe Sunak! I paligjshëm, azilkërkuesit nuk do...

Gjykata rrëzon planin e Braverman dhe Sunak! I paligjshëm, azilkërkuesit nuk do të dërgohen në Ruanda

Gjykata e Apelit në Londër ka rrëzuar planin e qeverisë britanike për dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda, duke e shpallur të paligjshëm.

Vendimi u njoftua nga Kryegjykatësi Lord Burnett gjatë një seance të shkurtër dëgjimore në Londër

Dy nga tre gjyqtarët e Apelit në Londër argumentuan se Ruanda nuk ishte një “vend i sigurt” për t’i depërtuar atje emigrantët që mbërrijnë me gomone në Angli e më pas kërkojnë azil.

“Për shkak të “mangësive” në sistemin e azilit të Ruandës, ka arsye të konsiderueshme për të besuar se ekziston një rrezik real që personat e dërguar në Ruandë të kthehen në vendet e tyre të origjinës, nga ku ata po largohen. Derisa të korrigjohen këto mangësi, largimi i azilkërkuesve do të jetë i paligjshëm“-argumentoi gjykata.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ruandës zyrtare, e cila ka kundërshtuar duke thënë se është një nga vendet më të sigurta në botë.

Në dhjetor, Gjykata e Lartë hodhi poshtë një sërë sfidash ligjore ndaj planit të qeverisë, por disa azilkërkues individualë dhe organizata bamirëse Asylum Aid e çuan çështjen në Gjykatën e Apelit, çështje e cila u fitua sot.

Ndërkohë planet e Britanisë kishin nisur. Përveç 140 milionë sterlinava të dhëna Ruandës , pa shkuar asnjë emigrant ende në Ruanda, dihej që politika e re e emigracionit do ishte tejet e kushtueshme, edhe për shkak të distancës prej 9 orë fluturimi nga Londra në Ruanda dhe kostove të marrjes me qira të avionëve, por shifra e fundit e dhënë nga vetë Home Office, Ministria e Brendshme dhe Emigracionit, është marramendëse dhe e frikshme.

169 mijë sterlina për azilant do t’i kushtonte taksapaguesëve britanikë dërgimi drejt Ruandës. E thënë ndryshe, sikur 30 mijë azilantët të ardhur me gomone, vitin e kaluar, pa përfshirë shqiptarët rreth 14 mijë, plus minimalisht 10 mijë të ardhurit deri më tani për këtë vit, shifra shkon në rreth 7.2 miliardë sterlina. Aty nuk llogariten shpenzimet për dërgimin e afro 14 mijë shqiptarëve drejt Shqipërisë në bazë të marrëveshjes Rama-Sunak të dhjetorit të kaluar, edhe pse mijëra azilkërkues shqiptarë janë zhdukur në të zezë për shkak të frikës nga rikthimi, sipas The Times.

Ndërkohë, kalimet me gomone nga Franca drejt Britanisë ende vazhdojnë dhe muaji qershor, edhe për shkak të motit të ngrohtë, shënon minimalisht po aq kalime me gomone sa qershorin e vitit të kaluar.