Si e përjetuan banorët e Rostovit rebelimin e Prigozhinit?

Ideja e parë që diçka e pazakontë po ndodhte erdhi kur njerëz me uniforma e me armë bllokuan trafikun në kryqëzimin e Budinovski Prospekt dhe Bolshaja Sadovaja. Edhe pse veturat u kthyen mbrapsht, këmbësorët u lejuan të hynin në nënkalim dhe të vazhdonin rrugën.

Pak kohë më pas, një kamion ushtarak u ndal para dyqanit TsUM. Persona me rroba kamuflazhi u rreshtuan përgjatë rrugës në një distancë prej 100 metrash. Ata qëndruan aty, nuk reaguan ndaj asgjëje që ndodhte rreth tyre, përderisa një turmë civilësh dalëngadalë u mblodh pranë kryqëzimit.

“Asgjë alarmante nuk po ndodh. Ushtarët po ndalen në Tasty and That’s it dhe po hanë së bashku me banorët lokalë”, tha një grua e re, që u identifikua me emrin Lena.

Ajo iu referua restorantit të ushqimit të shpejtë që zëvendësoi McDonalds, pasi kjo kompani u tërhoq nga Rusia për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

“Situata ishte e tensionuar kur ata raportuan lajmin këtë mëngjes dhe nuk kishte detaje, vetëm se ushtria kishte mbyllur qytetin. Por, kur pashë gjithçka me sytë e mi, isha më pak e alarmuar”, shtoi ajo.

Më 24 qershor, Rostov-mbi-Don (Rostov), një qytet me 1 milion banorë që gjendet rreth 1.000 kilometra në jug të Moskës, ishte vendi i një përplasjeje të armatosur e të tensionuar midis autoriteteve dhe luftëtarëve paraushtarakë të grupit të mercenarëve, Wagner, që drejtohet nga biznesmeni Yevgeny Prigozhin.

Jo shumë larg kufirit ukrainas, Rostov është shtëpi e selisë së Qarkut ushtarak jugor të Rusisë (YuVO) dhe ka qenë i militarizuar rëndë që nga fillimi i pushtimit të shkallës së plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Banorët lokalë atje megjithatë u tronditën kur panë automjete të blinduara duke zënë pozicionet në rrugët e qytetit të tyre.

Personat e armatosur në kryqëzimin e Budinovskit dhe Bolshaja Sadovaja ishin luftëtarë të Wagner-it. Disa prej tyre kishin fshehur fytyrat me maska e të tjerët ecnin të pamaskuar.

“Ju lutem mos qëndroni në rrugë”, u thoshte vazhdimisht kalimtarëve një prej luftëtarëve.

“Pajisjet po kalojnë nëpër këtë rrugë dhe ju mund të lëndoheni. Ne nuk duam që t’iu ndodhë asgjë e keqe civilëve”.

Selia e YuVO-s

Disa blloqe në veri në Budinovski Prospekt, në një bllok midis rrugëve Pushkin dhe Gorki, gjendet selia e YuVO-s, një qendër për luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Prania ushtarake është shumë më e lartë në këtë vend, me dy tanke që janë të vendosura në pjesën e përparme dhe një tank afër portës së ndërtesës së një cirku. Ushtarët dhe automjetet e blinduara qëndronin në oborrin e kompleksit të selisë së YuVO-s.

Kalimtarët bënin selfie pranë pajisjeve ushtarake të vendosura në këtë seli.

Prigozhini dhe luftëtarët e Wagner-it pretenduan se shkuan në Rostov për të rregulluar raportet me Ministrinë e Mbrojtjes pasi forcat ruse dyshohet se hapën zjarr ndaj pozicioneve të tyre. Edhe pse ushtria ruse e mohoi këtë akuzë, disa mijëra luftëtarë të Wagnerit u larguan nga pozicionet e tyre në rajonet lindore në Ukrainë, që gjenden në kufi me Rusinë. Një grup u nis drejt Moskës përmes qytetit Voronezh dhe një grup tjetër mori kontrollin e Rostovit.

Nga mesi i mëngjesit të 24 qershorit, lufta kishte arritur në Rostov dhe Prigozhini pretendoi se luftëtarët e tij kishin nën kontroll pozicionet strategjike në qytet, përfshirë aeroportin dhe selinë YuVO. Presidenti Vladimir Putin mbajti një fjalim, në të cilin tha se organizatorët e “rebelimit të armatosur” ishin tradhtarë që do të viheshin para drejtësisë.

Përplasja zgjati pothuajse gjatë gjithë asaj dite, para se Prigozhin papritur të ndërpriste avancimin drejt Moskës. Kremlini njoftoi për një marrëveshje të ndërmjetësuar nga lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka. Sipas kësaj marrëveshjeje, lideri i mercenarëve do të largohej nga Rusia për në Bjellorusi dhe luftëtarët e Wagnerit, që nuk i ishin bashkuar rebelimit, do të mund t’iu bashkoheshin radhëve në ushtrinë e rregullt.

Me kalimin e kohës, banorët lokalë u bënë edhe më kureshtarë dhe nisën të bisedonin me luftëtarët e Wagnerit.

“Pse i je bashkuar Wagnerit”, pyeti një person nga turma.

“Ata kanë ushqim të mirë”, u përgjigj me shaka njëri nga luftëtarët. “Di të qëlloj mirë dhe nuk dua të kthehem në shtëpi”.

“Po e mbroj shtetin tim”, tha një luftëtar tjetër.

Gjatë ditës, të rinj me rroba civile u panë duke vendosur flamuj të Wagnerit nëpër qytet. Nuk mund të thuhet se kush ishin ata, edhe pse luftëtarët e Wagnerit kanë qenë të pranishëm në këtë qytet për muaj të tërë dhe shumë nga vendasit janë dashamirës ndaj tyre. Disa banorë të Rostovit, megjithatë, ishin në ankth edhe për ngjarjet që po zhvilloheshin, por edhe për të ashtuquajturin “operacion të posaçëm ushtarak” të Kremlinit kundër Ukrainës.

“Nuk e dua asnjërën nga këto”, tha një grua në moshë të mesme, e cila refuzoi të identifikohej. “Unë dua vetëm paqe, kjo është e gjitha”.

Ivani, një i ri i cili tha se kishte shkuar me pushime në jug të Rusisë nga Moska, zëshëm i mbrojti luftëtarët e Wagnerit, duke përdorur gjuhë të ngjashme me atë që përdor vetë Prigozhini.

“Ata nuk janë në gjendje të luftojnë”, tha Ivani. “Atyre nuk po iu jepen furnizime. Ministria e Mbrojtjes po e përkeqëson konfliktin në mes të atyre që po i përgjigjen thirrjes me zemrën e tyre dhe ndaj atyre që parapëlqejnë të ulen prapa vijave të luftës, që nuk po lejojnë të tjerët të luftojnë dhe po minojnë të gjithë ‘operacionin e posaçëm ushtarak’”.

Disa banorë lokalë kanë shprehur hapur simpatinë e tre për mercenarët e Wagner-it, duke iu dërguar ushqime dhe pije gjatë asaj dite, edhe pasi Putini e dënoi rebelimin dhe e quajti “thikë pas shpinës”.

Shpërthime dhe të shtëna armësh

Por, pas rreth 14 orësh, luftëtarët e Wagnerit filluan t’iu bënin thirrje civilëve që të shkonin në shtëpi, duke lënë të kuptohet se situata po bëhej “e rrezikshme”. Papritur u dëgjuan shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri. Nga paniku, civilët nisën të iknin, teksa luftëtarët u futën në makinat e tyre të blinduara.

Njerëzit filluan të pëshpëritnin se luftëtarët çeçenë nga batalioni Akhmat po hynin në qytet nga drejtimi i Aksait, vendbanim në periferi në skajin lindor të Rostovit. U raportuan radhë njerëzish në stacionet e autobusëve dhe trenave, që ngarendnin të largoheshin nga qyteti. Radhë të gjata u panë edhe në pikat e karburanteve në rrugët jashtë qytetit.

Thashethemet vazhduan të përhapeshin. Njerëzit iu drejtuan rrjetit social Telegram për të gjetur lajmet e fundit, duke ndjekur raportimet për autokolona të Wagnerit në Voronezh. Raportimet thoshin se luftëtarët mercenarë mund të arrinin në Moskë brenda disa orësh. Por, teksa tensionet po arrinin pikun, papritur rebelimi përfundoi. U tha se ushtarët e batalionit Akhmati u ndalën jashtë qytetit, ndërkaq mercenarët në Voronezh papritur u ndalën diku në rajonin e Lipetskut. Më pas erdhi lajmi që Lukashenka kishte shtensionuar situatën duke e bindur Prigozhinin që t’i ulte armët dhe të kërkonte strehim në Bjellorusi.

Një grup i vogël i banorëve të Rostovit u mblodhën jashtë selisë së YuVO-s për të bërë fotografi me Putinin, teksa ai po largohej me një makinë civile. Shumica brohoritën “Wagner”.

Për një moment, makina u ndal dhe Prigozhini u pa duke qeshur dhe duke përshëndetur disa persona. Më pas, ai u largua./REL-Limit.al