Nga Hal Brands- “Foreign Policy” *
Lufta në Ukrainë mund të sjellë shumë rezultate pozitive: Një Rusi e dëmtuar nga agresioni i saj, një SHBA që ri–zbulon qendrën e fuqisë dhe udhëheqjes së saj, një komunitet demokratik i bashkuar dhe i ri–motivuar për vitet e rrezikshme që na presin në vijim.
Por do të ketë edhe një rezultat shumë ogurzi: ngritja e një koalicioni autokracish euroaziatike, të lidhura nga afërsia gjeografike me njëra-tjetrën si dhe nga armiqësia gjeopolitike ndaj Perëndimit. Ndërsa marrëzia e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë ka bërë bashkë demokracitë e përparuara, ajo po përshpejton edhe ndërtimin e një fortese Euroaziatike, që drejtohet nga armiqtë e botës së lirë.
Autokracitë revizioniste – Kina, Rusia, Irani dhe në një shkallë më të vogël Koreja e Veriut – nuk po synojnë vetëm ndikimin në rajonet e tyre përkatëse. Ato po krijojnë partneritete strategjike të ndërlidhura në hapësirën tokësore më të madhe në botë dhe po nxisin ndërtimin e rrjeteve tregtare dhe të transportit që janë përtej mundësive të ndikimit të dollarit amerikan dhe marinës së SHBA-së.
Kjo që po shohim është ende një aleancë e plotë e autokracive. Megjithatë, është një bllok kundërshtarësh më koheziv dhe më të rrezikshëm se çdo gjë me të cilën Shtetet e Bashkuara janë përballur ndër dekada. Të gjitha konfliktet e mëdha të epokës moderne, kanë qenë në fakt gara mbi Euroazinë, ku koalicionet janë përplasur për dominimin e atij super–kontinenti dhe oqeaneve përreth tij.
Në fakt, Shekulli Amerikan ka qenë shekulli Euroaziatik: Detyra jetike e Uashingtonit si një superfuqi, ka qenë mbajtja e botës në ekuilibër duke e mbajtur Euroazinë të ndarë. Tashmë Shtetet e Bashkuara po udhëheqin sërish një koalicion aleatësh demokratikë në kufijtë e Euroazisë kundër një grupi rivalësh të vendosur në qendër, ndërsa shtetet e lëkundura midis 2 blloqeve po manovrojnë për të përfituar avantazhe.
Vende si Turqia, Arabia Saudite dhe India kanë një rol kritik në këtë epokë rivaliteti, falë pozitës gjeografike por edhe ndikimit që kanë. Në shumë raste, këto fuqi janë të vendosura të luajnë me të dyja palët. Këto shtete të lëkundura dhe oportuniste do të diktojnë në fakt luftën midis Fortesës Euraziatike dhe botës së lirë.
Euroazia ka qenë prej kohësh zona kryesore strategjike e botës, sepse këtu ndodhen vendet më të pasura dhe më të fuqishme të globit, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara. Dhe që nga fillimi i shekullit XX-të, ky superkontinent ka parë përleshje të ashpra për përparësinë gjeopolitike.
Në Luftën e Parë Botërore, Gjermania kërkoi të ndërtonte një perandori të madhe nga Kanali Anglez deri në Kaukaz. Dhe u desh një koalicion transatlantik i demokracive për ta mposhtur këtë sfidë. Ndërkohë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania dhe Japonia depërtuan thellë në zemër të saj.
U krijua një koalicion akoma më i madh dhe ideologjikisht më i larmishëm për të rivendosur ekuilibrin. Ndërkaq gjatë Luftëssë Ftohtë, një superfuqi e vendosur në qendër, Bashkimi Sovjetik, u përpoq të mposhtte një koalicion të botës së lirë në periferinë e Euroazisë.
Pas fitores së tyre në Luftën e Ftohtë, Uashingtoni dhe miqtë e tij ishin mbizotërues në të gjitha nën–rajonet kryesore të Euroazisë: Evropë, Azinë Lindore dhe Lindjen e Mesme. Megjithatë që nga ajo kohë sfida janë rishfaqur nga rivalët që janë bashkuar gjithnjë e më shumë rreth armiqësisë së tyre të përbashkët ndaj status quo-së.
Dhe ashtu siç krizat e mëdha e përshpejtojnë shpeshherë historinë, edhe lufta Rusi-Ukrainë po përshpejton ngritjen e një blloku të ri euroaziatik. Pushtimi i Putin në Ukrainë ishte një përpjekje për të ribërë Euroazinë me forcë. Nëse Rusia do të kishte pushtuar shpejt të gjithë Ukrainën, ajo mund të kishte ri-krijuar thelbin e Bashkimit Sovjetik.
Pra Moska do të kishte pasur një pozicion komandues nga Azia Qendrore deri në frontin lindor të NATO-s. Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut po synojnë të përmbysin ekuilibrin e fuqisë dhe e shohin SHBA-në si pengesën kryesore. Kjo sfidë ka motivuar demokracitë e përparuara.
NATO po riarmatoset dhe zgjerohet. Demokracitë në Azi e kanë mbështetur Ukrainën dhe kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë nga frika se agresioni i suksesshëm në një rajon mund të nxisë aventura vdekjeprurëse tek të tjerët.
Vendet e lidhura nga vlerat liberale dhe mbështetja për rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA po forcojnë mbrojtjen e tyre nga Evropa Lindore në Paqësorin Perëndimor dhe po ri–mendojnë lidhjet ekonomike dhe teknologjike me tiranitë në Moskë dhe Pekin. Pra po merr sërish formë ajo që presidenti amerikan Joe Biden e quan “bota e lirë”.
Por mjerisht ka përballë një koalicion autokratësh. Moska, Pekini, Teherani dhe Phenianikërkojnë të përmbysin ekuilibrin e fuqisë në rajonet e tyre dhe e shohin Uashingtonin si pengesën kryesore. Ato shqetësohen për cënueshmërinë e tyre ndaj sanksioneve dhe ndëshkimeve të tjera që mund të vendosin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
Ndaj që të mbijetojnë këto vende kanë nevojë për të tjerët, sepse nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët shkatërrojnë ndonjërin prej tyre, pjesa tjetër bëhet më e izoluar dhe e pambrojtur. Një aspekt i dytë i Fortesës Euraziatke, përfshin ndërtimin e rrjeteve të tregtisë dhe transportit që janë të sigurta nga sanksionet e vendeve demokratike.
Për vite me radhë, Kina ka investuar në ndërtimin e tubacioneve tokësore dhe hekurudha që synojnë të sigurojnë qasje në naftën e Lindjes së Mesme dhe burime të tjera thelbësore. Rusia dhe Irani po ndërtojnë Korridorin Ndërkombëtar të Transportit Veri-Jug, që i lidh të dyja vendet nëpërmjet Detit Kaspik të mbyllur, ndërsa Teherani e udhëzon Moskën se si të shmangë sanksionet.
Po kështu, Rusia dhe Kina po thellojnë bashkëpunimin për të zhvilluar Rrugën e Detit të Veriut, rruga detare më pak e cënueshme midis porteve të Paqësorit të Kinës dhe Rusisë Evropiane. Tregtia dypalëshe është rritur ndjeshëm nga shkurti i vitit 2022, dhe tani Kina është bërë partnerja kryesore tregtare e Moskës.
Në shkurt të këtij viti, juani e kapërceu dollarin si monedha më e tregtuar në bursën e Moskës. Ndërkohë, Kina dhe Irani po eksperimentojnë me reduktimin e përdorimit të dollarit në tregtinë dypalëshe. Së fundmi, ky bllok euroaziatik po bashkohet intelektualisht dhe ideologjikisht.
Për këtë arsye, detyra më emergjente e SHBA-së është të forcojë aleancat me vende në kufijtë e rrezikuar të Euroazisë. Në fakt Uashingtoni po ndjek elemente të kësaj strategjie, duke forcuar aleancat me Japoninë dhe Filipinet, duke forcuar frontin lindor të NATO-s dhe duke krijuar partneritete, si AUKUS, që lidhin demokracitë me të njëjtin mendim në rajone të shumta.
Hapat e ardhshëm duhet të jenë integrimi i mëtejshëm i mbrojtjes së botës së lirë aty ku kërcënimet janë më të mëdha, ndoshta duke krijuar një bllok SHBA-Japoni-Australi për t’i rezistuar agresionit kinez ose duke hartuar plane serioze se si fuqitë evropiane mund t’i përgjigjen, ushtarakisht ose ekonomikisht konfliktit në Paqësorin Perëndimor.
Por më sfidues është misioni i dytë: maksimizimi i konvergjencës strategjike me shtetet e lëkundura, dhe minimizimi i divergjencës aty ku ajo do të dëmtonte më shumë. Nëse Shtetet e Bashkuara ndëshkojnë rregullisht shtetet e lëkundura për zgjedhjet e tyre diplomatike, kjo rrezikon që ta kthejë ambivalencën në armiqësi. Nëse nuk e bën kurrë këtë, rrezikon të humbasë të gjithë ndikimin tek ato.
Megjithatë, për shkak se ky është një akt balancues kaq i ndërlikuar, është e rëndësishme që me kalimin e kohës të krijohen stimujt themelorë. Për herë të katërt në pak më shumë se një shekull, po ndodh një përplasje epike mbi Euroazinë. Fitimi i kësaj beteje do të kërkojë që Shtetet e Bashkuara të mbledhin aleatët e tyre të botës së lirë, ndërkohë që gjithashtu duhet konkurrojnë për të ndikuar mbi vendet që nuk do të rreshtohen zyrtarisht në asnjërën nga kampet.
* Hal Brands, profesor i çështjeve globale në Shkollën Xhon Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare.