SHBA- Sensorët sonarë të marinës amerikane zbuluan një shpërthim të mundshëm në nëndetësen Titan, disa orë pasi filloi udhëtimin në thellësi të Atlantikut. Ndërsa hetimet kanë nisur për të zbuluar shkakun e tragjedisë, shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Në veçanti, dy zyrtarë të lartë të marinës amerikane zbuluan “një anomali që i ngjante një shpërthimi ose shembjeje” brenda rrezes së lundrimit të Titanit dhe në kohën kur komunikimi humbi.
Ky informacion u nda me të përfshirët në kërkim, por në këtë kohë u konsiderua “provë e pakonfirmuar” dhe “jo përfundimtare”. Informacioni i tyre për “anomalinë akustike” u përdor nga Roja Bregdetare e SHBA për të ngushtuar fushën e kërkimit.
Të enjten mbrëma, vetëm disa orë pasi mbaroi furnizimi 96-orësh i oksigjenit i nëndetëses së humbur, Roja Bregdetare e SHBA njoftoi se mbetjet nga nëndetësja ishin gjetur në zonën e kërkimit që tregonin se Titani kishte pësuar një “shpërbërje katastrofike”.
Ku po shkojnë hetimet?
Për t’iu përgjigjur pyetjes se pse ndodhi kjo dhe çfarë mund të ishte bërë për ta parandaluar atë, autoritetet do të mbledhin gjithçka në dispozicion. Sipas Ryan Ramsey, një ish-komandant i nëndetëseve në Marinën Mbretërore të Britanisë: Nuk ka kuti të zezë, ndaj nuk është e mundur të gjenden lëvizjet e fundit të anijes.
Por shtoi se procesi i hetimit nuk ndryshon nga ai i një përplasjeje avioni. Kur studiuesit të mbledhin pjesët e nëndetëses, ata do të kontrollojnë strukturën e çarjes së fibrës së karbonit, e cila do të jetë “çelësi” për të kuptuar se çfarë ndodhi në ato momente të fundit.
Pyetja e madhe që do t’u kërkohet të përgjigjen hetuesit është nëse depërtimi (nëse rezulton i tillë) është shkaktuar nga një mangësi strukturore. Nëse po, atëherë mbi nëndetëse është ushtruar një presioni i paimagjinueshëm, ekuivalent me peshën e Kullës Eifel.
Në një rast të tillë, pyetja që do të lindë është nëse është shkaktuar nga mungesa e kontrolleve dhe analizave.
Duke iu referuar “shpërthimit shkatërrues”, Eileen Maria Marty, një ish-oficere e marinës dhe profesore në Universitetin e Floridës, shpjegon se “është e paimagjinueshme dhe shumë e shpejtë” dhe ndodh në një fraksion të një milisekondi.
“E gjithë gjëja është shkatërruar para se pasagjerët të kuptonin se kishte një problem. Në fund të fundit, midis shumë mënyrave se si mund të vdesim, kjo është pa dhimbje.”
Mbetet e paqartë se cila agjenci do të drejtojë hetimin për shkakun e aksidentit, pasi nuk ka asnjë protokoll për aksidentet në nëndetëse. Po ashtu, i gjithë procesi do të jetë veçanërisht i ndërlikuar, pasi ngjarja ndodhi në një pjesë të izoluar të oqeanit dhe përfshin njerëz të shumë kombësive të ndryshme./Përkthyer dhe përshtatur nga Washington Post-Limit.al