Akullnajat e Himalajeve në Hindu Kush të Azisë mund të humbasin deri në 75% të vëllimit të tyre deri në fund të shekullit për shkak të ngrohjes globale. Kriza klimatike është tashmë një realitet që ne nuk mund ta injorojmë. Shkrirja e akullit do të shkaktojë përmbytje të rrezikshme dhe mungesë uji për 240 milionë njerëz që jetojnë në rajon.
Sipas raportit, humbja e akullit në rajon, ku gjenden majat e famshme të malit Everest dhe K2, po përshpejtohet. Siç raporton një shkencëtar i përfshirë në vlerësimin e Qendrës Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar të Maleve me bazë në Katmandu (ICIMOD), “ne do t’i humbim akullnajat dhe në 100 vjet.”
Me 1.5 gradë ose 2 gradë Celsius më shumë, akullnajat në të gjithë rajonin do të humbasin 30% deri në 50% të vëllimit të tyre deri në vitin 2100.
Çfarë thonë shkencëtarët?
Shkencëtarët janë përpjekur të vlerësojnë se si ndryshimi i klimës po ndikon tek Himalajet. Ndryshe nga Alpet evropiane dhe shkëmbinjtë e Amerikës së Veriut, rajoni nuk ka një histori të gjatë të matjeve që tregojnë nëse akullnajat po shtohen apo po zvogëlohen.
Raporti zbuloi se rrjedhat e ujit në 12 pellgjet e lumenjve të rajonit , duke përfshirë Gange, Indus dhe Mekong, ka të ngjarë të arrijnë kulmin rreth mesit të shekullit, me pasoja për më shumë se 1.6 miliardë njerëz që varen prej tij. Shumë komunitete që jetojnë në male përdorin ujin e akullnajave dhe shkrirjen e borës për të ujitur të mbjellat. Por koha e borës është bërë më e çrregullt dhe më pak se dikur.
Shkrirja e akullnajave përbën gjithashtu një rrezik për komunitetet më afër brigjeve të lumenjve. Rreziku lind kur një liqen vërshon, duke thyer barrierën e tij natyrore. Qeveritë po përpiqen të përgatiten për këto ndryshime./Përkthyer dhe përshtatur nga CNN-Limit.al