ATSH-DPA/ – Një tunel i ngushtë shpëtimi, i kohës së Luftës së Ftohtë, i gërmuar nën Murin e Berlinit u zbulua së fundmi gjatë punimeve të ndërtimit në kryeqytetin gjerman.
Tuneli, rreth 50 centimetra i gjerë dhe 70 centimetra i lartë, u zbulua nën një rrugë në Berlinin qendror që dikur ishte kufiri i fortifikuar midis Gjermanisë Lindore komuniste dhe enklavës së kontrolluar nga aleatët perëndimorë.
“Tuneli u zbulua në fillim të qershorit gjatë ndërtimit të një vendbanimi”, raportoi gazeta lokale e Berlinit BZ.
“Ekzistenca e tunelit dihej tashmë, por studimet gjeofizike kishin sugjeruar se ai ishte më i thellë nën tokë”, tha një zyrtar i ruajtjes historike të Berlinit.
Regjimi i Gjermanisë Lindore ndërtoi Murin e Berlinit për të bllokuar qytetarët që të iknin në Gjermaninë Perëndimore kapitaliste.
Nga dëshpërimi, shumë njerëz u përpoqën të shkonin në perëndim përmes rrugëve nëntokësore.
Sipas Memorialit të Murit të Berlinit, kishte të paktën 12 tunele të tjerë shpëtimi të gërmuar përgjatë shtrirjes së rrugës Bernauer ku u zbulua tuneli i fundit.