Si të shpjegohet enigma e ekonomisë botërore?

 

Çfarë po bën Mona Lisa? Në një pamje të parë, gruaja në portretin më të famshëm në botë, duket se po buzëqesh. Kur i hedhim sytë sërish, duket sikur buzëqeshja e saj po zbehet. Kur e vështrojmë prapë, duket sikur shfaqet një lloj tjetër buzëqeshjeje.

Leonardo da Vinci e arriti këtë efekt të mistershëm me përdorimin e sfumato-s, duke turbulluar linjat rreth fytyrës së Mona Lisa-s. Pavarësisht sa herë e shikoni, nuk jeni asnjëherë plotësisht të sigurt se çfarë po ndodh. Ekonomia pas pandemisë është si Mona Lisa. Sa herë që e vështroni, shihni diçka ndryshe. Pas kaosit në industrinë bankare, shumë analistë tani janë të bindur se ekonomia botërore po shkon drejt një recesioni “të rëndë”.

Pak duket se presin një skenar pa rënie, ku ekonomia mbetet e patrazuar nga rritja e normave të interesit, një mendim ky që ishte në modë vetëm disa javë më parë, dhe që zëvendësoi një tjetër pikëpamje të zakonshme në fund të vitit të kaluar, se një recesion i butë ishte një skenar i sigurt.

Shkurt pra, parashikimet rrallëherë kanë qenë më të vështira. Vitin e kaluar, diapazoni i pritshmërive të analistëve për rritjen tremujore të PBB-së amerikane, ka qenë dy herë më i gjerë se në vitin 2019.

Fjala “pasiguri” shfaqet më shumë se 60 herë në perspektivën më të fundit të ekonomisë globale të FMN-së, rreth dy herë më shumë se në prill dhe tetor 2022.

Kur goditi paniku bankar, askush nuk e kishte idenë më të vogël se çfarë do të bënte Rezerva Federale me normat e interesit në mars; disa investitorë prisnin një rritje të normës, disa nuk prisnin ndryshim, disa prisnin ulje; dhe mbledhjet e ardhshme duken po aq të paparashikueshme.

Në takimin më të fundit të Bankës Qendrore Europiane për politikën monetare muajin e kaluar, presidentja e bankës Christine Lagarde, ishte e hapur për rolin e institucionit të saj. “Nuk është e mundur të përcaktohet në këtë moment se cila do të jetë rruga përpara”, tha ajo.

Statisticienët zyrtarë po përpiqen të kuptojnë tablonë e gjerë. Sigurisht, ata i përditësojnë vlerësimet e tyre për gjithçka, nga PBB-ja deri te punësimi, ndërkohë që vijnë më shumë të dhëna. Por diçka e thellë ka ndryshuar.

Rishikimet e PBB-së në Eurozonë janë katër herë më të mëdha se normalja. Në mars, zyra e statistikave e Britanisë publikoi disa rishikime të mëdha.

Të dhënat treguan se investimi real i biznesit ishte në përputhje me nivelin para pandemisë, jo 8% më poshtë siç besohej dikur. Muajin e kaluar, statisticienët australianë përgjysmuan vlerësimin e rritjes së produktivitetit në tremujorin e tretë të vitit 2022.

Atë vit, Zyra Amerikane e Statistikave të Punës (BLS), publikoi rishikime të vlerësimit të saj mbi pagat në punët jobujqësore (pa përshtatjen sezonale) prej 59,000 në muaj, midis vlerësimit të parë dhe të tretë, krahasuar me 40,000 në vitin 2019.

Çfarë po ndodh? Ndoshta bota thjesht është më e paqëndrueshme. Vitin e kaluar, Europa ka përjetuar luftën më të madhe në shtatë dekada, pengesa në zinxhirin e furnizimit, një krizë energjetike dhe panik bankar. Pjesa tjetër e vendeve të pasura kanë qenë po ashtu të paqëndrueshme.

Megjithatë, ka edhe ndryshime më të thella. I pari lidhet me përçarjet e shkaktuara nga Covid-19. Bota kaloi me vrull nga rënia ekonomike, në një rritje të shpejtë, ndërsa karantinat vinin e iknin. Kjo ka bërë kërdi me “rregullimet sezonale” që janë të zakonshme për shumicën e matjeve ekonomike.

Në shkurt, BLS-ja ndryshoi faktorët që zbaton për inflacionin, gjë që e bën shumë më të vështirë interpretimin e normave mujore. Inflacioni bazë vjetor në tremujorin e fundit të vitit 2022, “u rrit” nga 3.1% në 4.3%.

Është gjithashtu më e vështirë të kuptosh inflacionin e Eurozonës. Kamil Kovar nga firma e konsulencës Moody’s Analytics, vë në dukje se, në varësi të mënyrës se si bëhet rregullimi sezonal, inflacioni bazë mujor në mars, ishte i ulët deri në 0.2%, ose i lartë deri në 0.4%.

Ndryshimi i dytë lidhet me madhësinë e mostrës. Pandemia përshpejtoi një prirje ku një pjesë në rritje e njerëzve nuk u përgjigjeshin sondazheve zyrtare.

Në Amerikë, shkalla e përgjigjes për anketën e përdorur për të vlerësuar vendet e lira të punës, ka rënë nga gati 60% pak para pandemisë, në rreth 30%. Kur goditi Covid-19, shkalla e përgjigjes ndaj anketës së fuqisë punëtore të Britanisë, u përgjysmua.

Gjatë karantinave, disa biznese u mbyllën. Njerëzit e humbën zakonin e plotësimit të pyetësorëve. Mungesa e besimit në qeveri gjithashtu mund të jetë rritur, duke bërë që njerëzit të mos jenë të disponueshëm për të ndihmuar statisticienët.

Rënia e normave të përgjigjes në anketa, ndoshta rrit paqëndrueshmërinë e të dhënave. Ato gjithashtu mund të çojnë në paragjykime. Njerëzit që nuk iu përgjigjën anketave duket se janë më pak të pasur se ata që vazhdojnë të përgjigjen, duke rritur në mënyrë mashtruese të ardhurat.

Jonathan Rothbaum nga Zyra e Regjistrimit, tregon se rritja reale mesatare e të ardhurave të familjeve në Amerikë nga viti 2019 në 2020, ishte 4.1%, jo 6.8% siç u raportua fillimisht, pas korrigjimeve të duhura për mungesat e përgjigjeve.

Që nga viti 2020, mungesa e përgjigjeve ka vazhduar të rrisë statistikat e të ardhurave me rreth 2%. Një raport nga Omair Sharif në firmën e konsulencës Inflation Insights, tregon se korrigjimi për “pasaktësitë nga mungesa e përgjigjeve” në sondazhe, mund të ketë ndikuar gjithashtu në rishikimet e mëdha të të dhënave të fitimeve amerikane, kohët e fundit.

Arsyeja e tretë e konfuzionit buron nga pabarazia midis të dhënave “të forta” dhe “të buta”, pra matjeve objektive si niveli i papunësisë dhe matjeve subjektive siç janë pritshmëritë e njerëzve në të ardhmen.

Normalisht të dyja llojet lëvizin në sinkronizim. Tani për tani, ato janë shumë larg njëra-tjetrës. Matjet “e buta” duken recesionare. Matjet “e forta” tregojnë zgjerim domethënës. Divergjenca mund të pasqyrojë zemërimin e njerëzve me inflacionin. Çmimet në vendet e pasura janë ende në një rritje prej 9% në bazë vjetore.

Me kalimin e kohës, investitorët dhe statisticienët do të mësojnë ta kuptojnë më mirë ekonominë botërore gjatë periudhave të luhatjes dhe inflacionit. Me zbehjen e efekteve të pandemisë, do të zbehen edhe shtrembërimet e rregullimeve sezonale.

Ekonomistët kanë bërë tashmë përparim në përfshirjen e të dhënave alternative në parashikime, duke ndihmuar në tejkalimin e problemit të pakësimit të përgjigjeve nëpër anketa.

Por ky është një ngushëllim i vogël për qeveritë dhe bizneset që duhet të marrin vendime që tani, ose për njerëzit që thjesht po përpiqen të ndjekin lajmet. Mos u habisni nëse ekonomia globale mbetet e turbullt edhe për disa kohë./Monitor-Limit.al