Ballina Bota Pse vendet e pushimit të korporatave janë kaq ekstravagante?

Pse vendet e pushimit të korporatave janë kaq ekstravagante?

SHBA- Kampet verore të kompanive po bëhen krijuese në një mënyrë të panevojshme. Banja me akull, sauna me rreze infra të kuqe, vozitje me varka të shpejta, peshkim, gjuajtje me hark, degustim i uiskit, joga në agim, dalje për gjah, gara me makina, çiklizëm malor në Norvegji, eksplorim të natyrës në Irlandë, ngjitje në një akullnajë në Alberta, kamping në pyll, etj.

Këto veprimtari në dukje të ndryshme, kanë diçka të përbashkët: të gjitha janë shembuj të vendeve të pushimit (retreat) ku mblidhen punonjësit e korporatave për të reflektuar mbi një projekt pune dhe për t’u socializuar me njëri-tjetrin. Gazetares së “The Economist” që ka shkruar këtë artikull, nuk i pëlqen ideja e prezantimeve në PowerPoint, të ndjekura nga ushtrime aktrimi dhe lojëra të detyrueshme. Ajo parapëlqen që lidhjet me kolegët e punës të thellohen në mënyra organike.

 

Megjithatë, tërheqja nga puna për të shkuar në një vend pushimi, është bërë një traditë e përvitshme e biznesit.

Ideja është që, duke i shkëputur punonjësit nga rutina e përditshme, kompanitë mund të rrisin shoqërimin mes kolegëve dhe të nxisin krijimtarinë e tyre. Dhe kjo traditë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.

Një arratisje e këndshme

Bëhet fjalë për një arratisje të këndshme dhe emocionuese që organizohet nga kompanitë zakonisht një herë në vit, gjë që mund të ndihmojë në ruajtjen e punonjësve kyçë në një kohë kur tregu i punës është shumë i ngushtë (dhe është më e lirë se çeqet më të majme të pagave mujore).

Në epokën e punës në distancë, me mungesën e ndërveprimeve në zyrë, udhëtimet për socializimin e ekipit të punës, kanë marrë edhe një rol strukturor.

Tashmë, duket se vendet e pushimit të organizuara nga kompanitë, nuk janë më një hollësi e parëndësishme, por vendosen në zemër të strategjisë së burimeve njerëzore të një korporate.

Mungesa e pjesëmarrjes nuk është një opsion; çfarë problemi ka nëse bashkëpunëtorët takohen personalisht për herë të parë, duke veshur shapka?

Më parë, argëtimet për socializim mes kolegëve ishin barbekjutë dhe lojërat softball. Vendet e pushimit tashmë e kanë ngritur nivelin, si në stil, dhe në shpenzime.

Vetëm tre muaj pasi Steve Jobs u largua nga kompania Apple dhe themeloi një kompani tjetër në vitin 1985, ai i dërgoi punonjësit e tij për pushime në Pebble Beach. Ndërsa psikologjia e korporatave lulëzoi në vitet 1990, vendet e pushimit për socializimin e ekipit u kthyen në traditë.

Në vitin 2015, Uber i ofroi këngëtares Beyonce 6 milionë dollarë për të dhënë një shfaqje për punonjësit e kompanisë (jo, këtu nuk përfshiheshin shoferët e taksive), në një festë që organizoi Uber në Las Vegas (ylli i popit me sa duket u pagua nëpërmjet aksioneve të startup-it të atëhershëm, dhe jo me para në dorë).

WeWork, një firmë për marrjen e zyrave me qira, organizonte pushime verore në mbarë botën; punonjësit e saj kërcenin nëpër klubet e natës, nën tingujt e muzikës elektronike.

Tashmë, kompanitë janë përmbajtur paksa dhe nuk ftojnë më VIP-a botërorë për të argëtuar punonjësit. Kompania WeWork i rishikoi politikat për argëtimin e stafit, pasi Adam Neumann, themeluesi dhe shefi i kompanisë, që ishte një adhurues i festave, u detyrua të largohej si pasojë e dështimit të një oferte publike fillestare (IPO), më vonë në atë vit.

Por prirja për organizimin e udhëtimeve nga korporatat, vetëm sa është rritur.

Për t’u dalluar nga të tjerat, kompanitë përpiqen t’i bëjnë pushimet e tyre sa më të personalizuara dhe ekzotike të jetë e mundur.

Atyre kompanive që nuk ua mban xhepi të paguajnë yjet e pop-it, mund të ftojnë për shembull, një astronaut që mahnit ekipin drejtues të kompanisë me ndodhitë e tij në hapësirë; sigurisht, nuk është e njëjta gjë si të shohësh mbretëreshën Beyonce në koncert, ama është diçka tërheqëse për pjesën e fuqisë punëtore, që janë njerëz studiozë dhe të përkushtuar pas punës.

Shumë organizatorë zgjedhin natyrën, ndoshta me besimin se mjedisi do të çlirojë krijimtarinë e punonjësve.

Kantinat e verës anembanë botës tani po zgjerohen për të përfshirë edhe vende ku mësohet prodhimi i verës dhe në to vijnë punonjës zyrash që shtypin rrushin. Një fermë në Montana u ofron klientëve veprimtari si, lojë me kapsula boje (paintball), gara për kapjen e flamurit dhe lojë me dema kukull.

Firma Butchershop, një agjenci për strategjinë e markave, mbajti samitin e dytë në Kosta Rika; veprimtaritë përfshinin lidhje me zinxhir, kalërim nëpër xhungël dhe kërcim në ujë nga një shkëmb.

Një mënyrë për të garantuar që udhëtimi në një vend pushimi të jetë i paharrueshëm, është që kompanitë të nxisin shpirtin luftarak të punonjësve të tyre.

Bashkimi i forcave për të luftuar elementet e jashtëm, mendohet se nxit shpirtin e ekipit, por disa organizatorë të zellshëm e teprojnë herë pas here me idetë e tyre. Një kompani e madhe europiane e dërgoi ekipin e saj drejtues në Rrethin Arktik, në mes të dimrit.

Ata duruan temperaturat e ftohta për ditë me radhë, pa ndërruar rrobat e trupit. Ecja mbi thëngjij të nxehtë, një ritual i lashtë që u përdor si stërvitje për forcimin e ekipit, çoi në lëndimin e 25 punonjësve të një agjencie zvicerane reklamash në Zyrih.

Nuk mund të themi me qartësi se çfarë arrijnë kompanitë duke ofruar këto ditë larg zyrës, përveç sforcimit të buxhetit të shpenzimeve dhe harxhimit të kohës së vlefshme. Rikthimi në tryezën e punës me morth ose këmbë të djegura nuk ka gjasa të rrisë produktivitetin.

Edhe nëse shpëtoni pa u lënduar, mund të mos keni më vlerësim për kolegun që e teproi me pijen dhe mbajti një monolog të gjatë sentimental. Ecja në zjarr me kolegët mund të synojë të nxisë shërimin shpirtëror dhe të vendosë punonjësit dhe shefat në kushte të barabarta dhe njëlloj të pakëndshme.

Ama, është ecja përmes zjarrit metaforik, ajo që në fakt i bën ekipet të lidhen. Kjo nuk ndodh në një vend pushimi të organizuar nga korporatat, por pas vitesh pune së bashku./Monitor-Limit.al