SERBI– Petar Petkoviç, drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe ka reaguar këtë të shtunë në lidhje me thirrjen e ndërkombëtarëve për lirimin e tre efektivëve të Policisë së Kosovës nga forcat speciale serbe. Petkoviç tha se serbët e veriut të Kosovës janë ata që do të vendosin se si do të veprohet në ditët në vijim. Po ashtu ai duket se kishin dhe një mesazh për ambasadorët dhe diplomatët teksa tha se nuk janë ata që vendosin në Serbi.
Petar Petkopviç: Jemi të shokuar me kërkesat e SHBA-së dhe Britanisë, të cilat kërkojnë nga Serbia për lirimin e policëve të arrestuar dhe askush nuk e përmend faktin se është e nevojshme lirimi i serbëve të pafajshëm. E shihni se çfarë hipokrizie. Nuk vendosim ne se kur do të lirohen policët, ne jemi shtet ligjor, këtë e vendos prokuroria dhe gjykata. Kjo nuk vendoset as nga ambasadat.
Tre efektivët e Policisë së Kosovës u rrëmbyen nga forcat speciale serbe më 14 qershor në afërsi të Leposaviç teksa ishin duke patrulluar. Ata u morën dhe u lidhën si robër lufte nga forcat serbe dhe u dërguan në Serbi. Kjo ka sjellë dhe një rindezje të situatës së tensionuar në veri. Qeveria e Kosovës por dhe partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar lirimin e mjenjëhershëm të tyre. Sot Departamenti Amerikan i Shtetit i bëri thirrje Serbisë që ti lirojë efektivët pa kushte. Po ashtu qeveria e Albin Kurtit pretendon se rrëmbimi i tre efektivëve është një kundërpërgjigje për arrestimin 2 ditë më parë në Mitrovicën e Veriut, të serbit Millun Millenkoviç, një nga organizatorët e protestave të dhunshme në Veri. Serbia ka hedhur poshtë çdo pretendim./Limit.al