Në Venecia, qytetin mbi ujë të Italisë, tashmë është hapur një hapësirë e re kushtuar artit.
Quhet “Le Stanze della Fotografia” (Dhomat e Fotografisë), dhe për ta parë do t’ju duhet të bëni një xhiro me ‘vaporetto’, autobusin publik të Venecias.
Tempulli i ri për fotografinë u hap më 29 mars në një ndërtesë historike në ishullin Shën Gjergji i Madh (San Giorgio Maggiore), pikërisht përballë Sheshit të Shën Markut.
Për të shkuar në “Le Stanze”, do t’ju duhet të shkoni në stacionin B të vaporetos San Zaccaria, ku varkat nisen rregullisht për në ishullin Giudecca.
Muzeu dykatësh është ndërtuar në një ish-magazinë doganash, që u kthye në një shkollë me konvikt në vitet ’50.
Që atëherë, puna e madhe restauruese ka zbuluar tavanet e saj të larta të harkuara dhe ka ekspozuar dy dritare të mëdha, duke u dhënë vizitorëve një pamje befasuese të lagunës.
Ekspozita përuruese në hapësirën e re, është një retrospektivë e fotografit italian Ugo Mulas, duke filluar me punën e tij eksperimentale në fund të karrierës, deri te portretet e tij të artistëve të mëdhenj të shekullit XX.
Një ekspozitë e madhe, që paraqet punën e fotografit Paolo Pellegrin, fotoreporteri i cili mbulon konfliktet dhe shkatërrimet e ndryshimeve klimatike, do të hapet në vjeshtë.
Ndërsa pranvera e vitit 2024, do të sjellë një retrospektivë të suksesshme të Helmut Njuton, për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së fotografit gjerman të modës.
Por, në ishullin Shën Gjergji ka shumë më tepër për të parë. Shikoni afresket e tij të mrekullueshme dhe manastiret e lashta, përreth kompleksit mbresëlënës të Fondacionit Giorgio Cini, të cilat na i sjell faqja “Timeout”.
Vizitoni labirintin e Borges ose shëtisni në pyllin të ishullit, ku dhjetë kapela të ndërtuara nga arkitektë të njohur nga e gjithë bota, i përshtaten peizazhit venecian.
Mos harroni të vizitoni Bazilikën Shën Gjergji, e cila daton në shekullin XVI.
Gjithashtu, në vend që të qëndroni në radhë për të ngjitur kullën në sheshin e Shën Markut, shijoni pamjet nga kulla në Bazilikën Shën Gjergji
Do të shpërbleheni me pamje përrallore mbi Sheshin e Shën Markut dhe Pallatin e Dukës, pamje veçanërisht e bukur në perëndim të diellit.