KOSOVË- Këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Ardita Sinani, ka njoftuar se me një delegacion do të zhvillojnë takime në Parlamentin Evropian, për të ngritur problematikën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale ku sqaron se këtë të hënë, së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit nga Lugina e Preshevës, do të jetë në vizitë tre ditore në Bruksel, për të ngritur problematikën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës.
Aty do të zhvillojnë 12 takime me udhëheqësit më të lartë të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian. Ajo shton më tej se pozita e vështirë e pakicës shqiptare në Serbi dhe diskriminimi konsistent, do jenë temat e takimeve.
Postimi i plotë
Pas ngritjes së problematikës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kongresin e Senatin Amerikan dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, adresa jonë e rradhës do të jetë Parlamenti Evropian. Nga nesër, së bashku me anëtarët tjerë të delegacionit nga Lugina e Preshevës, do të jem në vizitë 3 ditore në Bruksel për të ngritur problematikën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Për tre ditë në Bruksel do të zhvillojmë 12 takime me udhëheqësit më të lartë të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian. Pozita e vështirë e pakicës shqiptare në Serbi dhe diskriminimi konsistent do të jenë thelbi dhe tema kryesore e këtyre takimeve jashtëzakonisht të rëndësishme. Kushtëzimi i rrugëtimit të Serbisë në integrimet evropiane do të duhej të kushtëzohej me realizimin dhe plotësimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi në përgjithësi, e në veçanti në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Zgjidhja më afatgjate dhe më e duhura do të ishte implementimi i reciprocitetit në të drejta të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi./Limit.al