Novak Djokoviç shkruan historinë, tenisti triumfon në Roland Garros dhe fiton çmimin e 23-të Grand Slam

Novak Djovokiç triumfon në Roland Garros dhe shkruan historinë. Tenisti serb mposhti në finalen e madhe të Parisit norvegjezin Casper Ruud, me rezultatin 3-0. Një dominim absolut nga ana e sportistit ballkanas, i cili fitoi setet me shifrat 7-6, 6-3 dhe 7-5.

Finalja zgjati për rreth 3 orë e 15 minuta. Një ndeshje e luajtur me rivalitet të lartë, sidomos në setin e parë, ku gjithçka u vendos në “tie-break”.

Ky është suksesi i 23-të për Djokovic në një turne madhor, duke u bërë kështu tenisti më i suksesshëm në historinë e Grand Slam-eve, e duke parakaluar një legjendë si Rafael Nadal, me 22 të tillë.

Pas përfundimit të ndeshjes, Djokoviç u shpreh tepër i lumtur dhe entuziast për këtë arritje historike.

Novak, Djokoviç: Jam tepër me fat që fitoj 23 Grand Slam në jetën time. Kjo është e pabesueshme. Isha një 17-vjeçar që ëndërroja se mund të fitoja Wimbledon-in një ditë dhe të bëhesha numri një në botë. Jam shumë mirënjohës dhe i bekuar që arrita këtu. Ndjej se pata fuqinë të krijoj fatin tim. Dua t’i them çdo të riu se nëse dëshiron një të ardhme më të mirë, mund ta krijosh atë.

Për 36-vjeçarin kjo është hera e tretë që fiton në këtë kompeticion, pas sukseseve në vitet 2016 e 2021./Limit.al