Italia pëson një tjetër zhgënjim në finale. Azurrët u mposhtën në finalen e Kupës së Botës për grupmoshat deri në 20 vjeç, nga Uruguaji.
Sfida e zhvilluar në La Plata të Argjentinës, u mbyll me rezultatin 1-0 për amerikano-latinët.
Luciano Rodriguez ishte heroi i uruguajanëve me golin e shënuar në minutat e fundit të ndeshjes.
Skuadra e Marcelo Brolit e nxitur edhe nga mbështetësit e shumtë, e nisi më mirë takimin, duke vënë në vështirësi mbrotjen italiane.
Duarte pati rastin më të mirë në pjesën e parë, por goditja e tij e fortë, u ndal në mënyrë fantastike nga gardiani Desplanches.
Pjesa e parë e lojës u mbyll me rrjetat e paprekura.
Fraksioni i dytë ishte më i ekuilibruar dhe rastet e pastra për shënim munguan deri në minutat e fundit.
Goli i triumfit për Uruguajin erdhi në minutën e 86-të. Rodriguez me një goditje të bukur me kokë, çoi topin në fundin e rrjetës.
Përpjekjet e fundit të italianëve për të barazuar nuk dhanë asnjë rezultat dhe Uruguay-U20 fiton titullin e parë kampion bote për këtë grupmoshë./Limit.al