Një krokodil femër depoziton vezët pa u çiftëzuar me një mashkull. Ky është rasti i parë në botë i autofekondimit që verifikohet tek krokodilët, dhe sipas ekspertëve, kjo mund të vërtetojë se është e trashëguar nga dinozaurët.

Femra krokodil jeton në një park në Costa Rica, është 18 vjeç, dhe pa patur asnjë kontakt me një mashkull, ka depozituar 14 vezë, nga të cilat një fetus ishte identik me nënën, pra me pak fjalë një klon i saj, gjë që u konfirmua pas analizave gjenetike.

Në fund të 3 muajve asnjë prej vezëve nuk u hap. Sipas ekspertëve, femra në këtë rast, në mungesë të mashkullit, ka bashkuar 2 qeliza të saj, një qelizë-vezë dhe një tjetër lloj qelize dhe bashkimi i të dyjave ka sjellë një riorganizim të materialit gjenetik për të mbushur edhe boshllëqet e lëna nga gjenoma mashkullore. Kjo është arsyeja pse një fetus që u arrit të analizohej ishte 99.9% identik me nënën.

Partogjeneza, që është riprodhimi pa fekondim, është dokumentuar edhe tek zogjtë, gjë që ngre hipotezën se paraardhës të përbashkët kanë pikërisht dinozaurët, që mund të kishin këtë kapacitet riprodhimi.