Nga Prof. Dr. Lush SUSAJ
Ditën e enjte, datë 1 Qershor të vitit 2023, është përcjellur për në banesën e fundit Nikoll Zef Imeraj, njëri nga burrat më të shquar, më të sinqertë, më të të besuar e më kontribues të krahines së Nikaj-Mërturit, i njohur edhe si kryatari i parë i komunës së Nikaj-Mërturit, dalë nga zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1992.
Përtej humbjes së madhe për familjen dhe të afërmit e tijë, qëndron edhe ajo humbja apo boshllëku që krijohet në shoqëri dhe administratë nga kjo ikje e parakohëshme e njërit prej specialistëve dhe kuadrove më të njohur të fushës së prodhimit, menaxhimit dhe drejtimit të pushtetit, e atij lokal në veçanti.
Sikurse e ndjejmë, kemi humbur një pjesë të rendësishme të përvojës administrative. Mbi të gjitha duket që kemi humbur fqinjin, kemi humbur vëllaun, prindin, kolegun dhe mikun e ngushtë e të jashtëzakonshëm. Jam i sigurtë që në mjediset tona familjare, shoqërore, shkencore dhe politike, tashmë do të na mungojë njëri nga veprimtaret dhe shëmbujt më të mirë të njerëzillëkut, të mirënjohjes, të frymëzimit, të pajtimit dhe të kohezionit shoqërorë e politikë, aq shumë të nevojshëm për shoqërinë shqiptare.
Nikolla ishte njeri puntorë, shumë mirenjohës dhe sherbëtor i pa përtuar ndaj njerëzve. Të qënurit mirënjohës është vyrtyt i veçantë dhe mbetet i tillë për aq kohë sa ka njerëz të cilët të japin një dorë kur ti ke nevojë, që të falin një buzëqeshje kur je i mërzitur, etj. Mirënjohja është vlera dhe fisnikëria e madhe e të gjitha kohërave. Të tillë njerëz të drejtë dhe mirënjohës në këtë botë ku jetojmë ka pak, por nese ndodh që të njohim e takojmë, duhet t’i mbajmë pranë e të jemi plotësisht të sigurtë që kemi gjetur “një thesar”, sepse ata përfaqësojnë thesar të vertetë vlerash e virtytesh. Në punët shtetërore e administrative që ka kryer, kudo e kurdoherë është karakterizuar nga kurajoa dhe veprimi, e të kesh kurajo është aseti dhe virtyti më i rëndësishëm e më i domosdoshëm për të patur sukses në zgjidhjen e problemeve. Të kesh kurajo nuk do të thotë të përballosh vetëm mundime dhe prova të vështira fizike, por edhe ato shpirtërore, ligjore dhe organizative. Kjo sepse suksesi kërkon dije dhe kurajo. Edhe fitorja kërkon drejtësi dhe kurajo. Në thelb edhe vetë jeta kërkon kurajo e guxim për të përballuar sfidat e sajë. Sikurse kemi parë e provuar, edhe per të qenë i ditur, për të qenë i edukuar, gjithnjë duhet kurajo.
E sikurse e kemi njohur, Nikoll Zef Imeri është shquar për dije dhe kurajo të lartë profesionale, shoqërore e politike. Prandaj ka patur sukses e mirënjohje nga të gjithë, prandaj e njerëzit e deshen dhe e respektuan të gjithë, e kështu do ta kujtojnë me respekt e mirënjohje gjithë jetën.
Sikurse e kemi njohur që nga fëmijeria, e më pas në shkollë dhe në universitet, por edhe në punë si specialistë dhe si drejtues i zgjedhur, Nikoll Zef Imeri ka jetuar, punuar dhe është larguar nga kjo jetë pa u bërë pis, pa damtuar askend, e kudo duke ja ruajtur ftyrën shtetit dhe qytetarit.
Veprat e mira nuk humbasin kurrë, punët e mira e në shërbim të shoqërisë dhe shtetit shqiptarë, janë kujtesa dhe pavdeksia më e madhe e më jetëgjatë e Nikolles dhe e secilit prej nesh. Përkundrejt faktit që sjellja dhe qeversija amorale, hipokrite, korruptive e kaotike, janë e do të mbetën harresa dhe vdekja për së gjalli e të gjithë atyre që zgjedhin sjelljet dhe rrugët e gabuara me njerëzit dhe fatet e popullit të tyre.
Parë në këtë këndvështrim, Nikoll Zef Imeraj, do të kujtohet gjithmonë për mirë, për sa kohë që të jetojnë familjarët dhe bashkëpuntorët e tijë të shumtë, së bashku me shëmbujt e punës dhe veprimtarisë së tijë në shërbim të jetës së njerëzve dhe të përparimit e lartësimit të shtetit dhe administratës shqiptare.
Nikoll Zef Imeraj ka lindur në Lekbibaj të Malsisë së Gjakovës me 24 Shtator 1961, e ku arsimin fillor, tetëvjeçarë e të mesem e ka përfunduar në vendlindjen e tijë, aty ku mesuesit, shokët dhe bashkëmoshatarët e tijë e kujtojnë për zgjuarsinë dhe etjen e tijë për dije e shkollë të lartë.
Në vitet 1981-1985, Nikolla ka studjuar dhe ka përfunduar me sukses studimet universitare, në ish Institutin e Lartë Bujqësorë (sot Universiteti Bujqësorë i Tiranës), duke qenë një shëmbull i shkelqyer i sjelljes qytetare dhe suksesit në mesime.
Ndërsa në vitet 1986-1992, Nikolla ka punuar si specialistë dhe si drejtues i prodhimit bujqësor në vendlindjen e tijë, në Nikaj-Mërturë. Sikurse të gjithë e kemi parë e njohur nga afër, ai e filloj punën nga baza e prodhimit, e më pas falë meritokracisë dhe komunikimit të shkelqyer me njerëzit, arriti që të bëhët drejtues dhe organizator i ekonomive të punës dhe prodhimit.
Falë dijes, korrektesës dhe sjelljes së tijë fisnike, porë edhe për shkak të historisë së njohur të origjinës së familjes së tijë punëtore, një familje pa sherre dhe pa knflikte të vjetëra e as të reja në krahinë e mbarë Shqipërinë, në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1992, populli i Nikaj-Mërturit e zgjodhi dhe e votoj Nikollen për kryetarë komune. Në këtë detyrë katër vjeçare (1992-1996), Nikoll Imeri ka luajtur një rol shumë të rendësishëm në ekuilibrat shoqërore dhe në kalimin e butë të trazicionit të egër që ka kaluar Nikaj-Mërturi dhe e gjithë Shqipëria. Sikurse dihet e pranohet nga të gjithë, falë pastërtisë, urtësisë dhe drejtësisë së punës së tijë, si rrallë kund tjetër, në Nikaj-Mërturë nuk është dëmtuar askush.
Zgjedhjet demokratike të vitit 1992 mbahen mend si zgjedhjet e para pluraliste të mbajtura pas më shumë se 47 viteve të diktatures komuniste në Shqipëri (1945-1992), e ku pati aq shumë ndjeshmëri, unitet dhe bashkëpunim mbarë popullorë. Në zgjedhjet e vitit 1992, pavarësishtë nga padrejtësitë dhe plagët e thella të 45 viteve të diktaturës komuniste, në Nikaj-Mërturë nuk pati dhunë, as incidente, as hakmarrje e as shkelje të ligjeve dhe rregullave të kodit zgjedhorë. Në këtë drejtim, një meritë shumë të madhe ka edhe veprimtaria shoqërore e administrative e NIkoll Imerit, që qëndroj në lartësinë e duhur e në shërbim të popullit që e votoj e deshi aq shumë.
Sikurse dihet, në zgjedhjet pluraliste të vitit 1992, që të gjithë moren pjesë në votime, e që të gjithë fituan nga produkti i pa përseritshëm i këtyre zgjedhjeve demokratike, e ku pjesë e këtij produkti e shërbimi ndaj popullit ishte edhe Nikoll Imeri.
Pas mbylljes së mandatit 4 vjeçarë, Nikolla është vendosur me banim në Tiranë, ku në vitet 1999 e deri në vitin 2014, e gjejmë të punësuar si specialistë dhe si drejtues në administratën e Bashkisë së Tiranës, dhe më pas në administratën e antikontrabandës dhe institucioneve të tjera të shtetit shqiptarë, ku kujtohet me respekt nga kolegët dhe nga bashkëpuntorët e tijë të shumtë.
Pas vitit 2014, e deri kur e mundi sëmundja e rendë, Nikolla ka punuar në biznesin e tijë “Farmaci Bujqësore”, në Laprakë, duke rrezatuar mirësi dhe korrektesë të lartë me njerëzit dhe me ligjet e shtetit.
Për përvojën dhe gjithë trashegiminë e tijë shoqërore e shtetërore, Nikoll Imeri do të kujtohet gjithmonë si shtetari dhe administratori më I votuar e më i dashur për popullin e Nikaj-Mërturit, e të mbarë Malësisë së Gjakovës.
Të tillë njerëz të bashkëpunimit dhe sherbesës ndaj popullit, vështirë që të gjëndën, ama populli ynë i ka dhe i nxjerr sa herë që ka liri dhe zgjedhje të lira. Të tillë njerëz, vërtetë që do të na mungojnë fizikishtë, por ata nuk mund të vdesin e nuk mund të harrohen kurrë, sepse vdekja as harresa nuk mund të arrijë kurrë në lartësinë e vyrtytit, vepres e sjelljes së tyre të gjallë e me të gjallët e kësaj bote.