Ballina Kryesore Makarona të përgatitura nga ne me pançetë, speca të kuq dhe erëza...

Makarona të përgatitura nga ne me pançetë, speca të kuq dhe erëza të freskëta

Përbërësit për makaronat e dorës: 400 gr miell semola, 4 vezë ambjenti

Përbërësit për salcën: 250 gr pançetë e tymosur, 2 speca të kuqe, 1 thelpi hudhër, 3-4 gjethe sherebelë, 2 degë trumëz, 1 degë rozmarinë, 4 lugë gjelle vaj ulliri, pak djathë kaçkavall të grirë, kripë

Përgatitja: Si fillim hedhim miellin në tavolinën e punës ose në një tas të madh dhe i hapim një gropë në mes ku thyejmë të katërta vezët. I rrahim vezët me pirun dhe shtojmë pak nga pak miell duke e marrë nga anët derisa avash avash do na formohet një brumë homogjen.

E punojmë brumin me dorë për të paktën 5-7 minuta në mënyrë që të aktivizohet gluteni i miellit. Mos u shqetësoni nëse brumi fillimisht është i fortë. Sa më shumë ta punojmë me dorë aq më shumë do të zbutet. Formojmë një sferë brumi, e mbështjellim me qese transparente dhe e lëmë të pushojë në temperature ambjenti për të paktën 30 minuta.

E ndajmë brumin në 3 pjesë të barbarta, marrim pjesën e parë ndërsa dy të tjerat i lëmë të mbuluara me qese kuzhine që të mos thahen, dhe e hapim në tavolinën e lyer me pak miell në formë pak a shumë drejtkëndore. Përdorim sa më pak miell të mundemi për hapjen e petës së brumit. Sa më të hollë ta hapim petën, aq më të shijshme do të jenë makaronat. E palosim petën rreth vetes dhe me thikën e lyer me miell e presim me trashësi 7 mm. Me duar të lyera me pak miell, i çrrotullojmë makaronat. Të njëjtën gjë bëjmë edhe me pjesët e tjera të brumit. I vendosim makaronat në tavolinë të thahen për 20 minuta.

Më pas fillojmë me përgatitjen e salcës. Kavardisim në pak vaj ulliri një thelpi hudhër të shtypur dhe erëzat e prera hollë (sipas recetës së Unëgatuaj.com). Shtojmë specat e kuq të prerë në shirita, i kriposim dhe i gatuajmë derisa të zbuten.

Në një tjetër tigan skuqim pa yndyrë pançetën derisa të bëhet kërce. Vendosim në zjarrë një tenxhere me ujë të bollshëm me kripë dhe pak vaj ulliri. Hedhim makaronat dhe i ziejmë për 3-4 minuta. Makaronat janë gati kur dalin në sipërfaqe. I kullojmë dhe i hedhim tek salca me speca të kuq duke i përzierë për pak minuta që të marrin shije.

I servirim në pjatë me pançetën kërce në sipërfaqe dhe me pak djathë të grirë.

T’ju bëjë mirë!