TIRANË: Pritet që pas pak ditësh qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët. Ka qenë Albin Kurti që përmes një deklarate ka bërë më dije që pikërisht në 14 Qershor do të kryhet kjo mbledhje e përbashkët e dy qeveria, që tashmë është kthyer në një traditë.
Në fjalën e tij Kurti tha ndër të tjera se ky takim është shumë i rëndësishëm pasi në kryefjalë do të nënshkruhen marrëveshje sa i takon drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes.
Albin Kurti: Sot një javë do të jetë mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë tonë dhe Qeverisë së Shqipërisë, e treta në më pak se dy vjet. Kësaj radhe Gjakova do të na bashkojë e marrëveshjet që do të nënshkruajmë do të na afrojnë edhe më shumë. Duke pasur parasysh ndikimin pozitiv e të drejtpërdrejt që marrëveshjet e deritanishme kanë pasur në jetën e qytetarëve dhe bizneseve si dhe shkallën e lartë të zbatimit të tyre, në mbledhjen e radhës do të nënshkruajmë edhe disa të tjera në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe mbrojtjes./Limit.al