Tensionet në veri/ BE: Të gatshëm që të organizojmë takimin e nivelit të lartë mes Kurtit dhe Vuçiçit

BRUKSEL-Bashkimi Europian është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë e bëri të ditur këtë të hënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Ky i fundit foli dhe për një takim të mundshëm mes kryeministrit të Kosvës Albin Kurti dhe atij serb Aleksandër Vuçiç.

Peter Stano: Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritës të takimit në nivel të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, kur të ketë kushte, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë. Por, në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë. Dhe pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, [Josep] Borrell, e Përfaqësuesi i Lartë do t’i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë.

Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vizitojnë të hënën Kosovën dhe të martën Serbinë, me qëllim të uljes së tensioneve të ditëve të fundit në veri të Kosovës.

Peter Stano: Ata shkojnë për të vazhduar punën në zbatimin e thirrjeve evropiane dhe amerikane për Kosovën dhe Serbinë që të ulin menjëherë tensionet dhe të ndërmarrin hapa për zgjidhje të qëndrueshme. E platforma për këtë zgjidhje të qëndrueshme është gjithsesi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, edhe më 5 qershor. Ata po protestojnë rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Më 29 maj, në Zvçan, serbët lokalë janë përleshur me pjesëtarë të KFOR-it, duke rezultuar me të plagosur në të dyja anët. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve. Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Zyrtarë të lartë të Kosovës kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë./Limit.al