Statistikat: Ulen me 16 % kurorëzimet, krahasuar me 2019
Sipas të dhënave nga drejtoria e përgjithshme e Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, krahasuar me para pandeminë, martesat në Shqipëri kanë rënë më 16 %.
Referuar të dhënave zyrtare, në vitin 2019 në Shqipëri janë regjistruar 22 360 martesa, ndërsa në vitin 2022, 18 724 martesa.
Për sociologët, ky fenomen, i cili nuk është vetëm në Shqipëri, është tregues i jetës post-moderne.
Gëzim Tushi, sociolog për TV Klan u shpreh se: Kjo tendencë e rënies së numrit të martesave është një fenomen global, është i përgjithshëm, është një nga treguesit e jetës post-moderne.
Ekspertët rendisin disa arsye përse shoqëria shqiptare po shkon drejt këtij fenomeni.
“Martesa në kohët e sotme nuk është martesa e që realizohej në kohën e djeshme, ka lëvizur nga guri themelor, korniza edhe vlera e martesës është vënë në diskutim të dukshëm. Fakti që është rritur numri i divorceve, po shtohet numri i vajzave mono-familje dhe i çifteve që nuk martohen dhe që kanë synime të tjera sikurse është karriera, suksesi, paraja që kanë bërë që të bjerë numri i martesave. Është një institucion që po tregon kriza të mëdha ekzistenciale. Pjesa më e madhe e martesave prishen shpejt”, tha ai.
Ulja e numrit të martesave shihet me shqetësim nga ekspertët pasi sipas tyre, krijimi i familjeve të reja po vjen gjithnjë e më shumë në ulje, madje shpesh ato krijohen dhe në moshë të madhe, duke ndikuar në uljen e lindshmërisë në popullatë.