Vullneti i lirë: Pse njerëzit besojnë tek ai edhe kur mendojnë se po manipulohen?

Të gjithëve na pëlqen të besojmë se jemi të lirë që të bëjmë zgjedhjet tona. Njëkohësisht, shumë njerëz mendojnë se po përdoren vazhdimisht teknika të ndryshme psikologjike për të ndikuar tek ne, nga tendencat e mediave sociale tek reklamat. Atëherë, si ta zgjidhim këtë problem? Çuditërisht, është një pyetje e shpërfillur deri vonë nga shumica e studiuesve. Por në një seri studimesh të kohëve fundit, ne i pyetëm njerëzit: “Ku mendoni se po përdoren në jetën tuaj të përditshme taktika psikologjike për t’ju manipuluar në mënyrë të pandërgjegjshme?” Dhe panë se çfarë do të thoshte kjo për besimin e tyre në vullnetin e lirë.

Në një studim të vitit 2018 në 4 vende (Australi, Kanada, Britani e Madhe dhe SHBA), përgjigjet ndaj pyetjes së mësipërme ishin shumë të ngjashme. Në fakt, ato dominojnë pavarësisht moshës, gjinisë, fesë dhe përkatësisë politike. Në afro 45 për qind të shembujve që dhanë njerëzit mbi manipulimin psikologjik, iu referuan marketingut dhe reklamimit. Sidomos “reklamimit nënkuptimor” (pra duke përdorur imazhe ose tinguj për të joshur ose bindur njerëzit se ata nuk janë të vetëdijshëm).

Ndërkohë mënyra tjetër më e zakonshme (19 për qind) ishte kërkimi (si përdorimi i efektit placebo), pastaj vinte fushata politike (7 për qind), mediat sociale (4 për qind) dhe hipnoterapia (4 për qind). Zakonisht njerëzit përshkruan metoda, të cilat ndryshojnë humorin, emocionet dhe mendimet në atë formë që të na bindin të zgjedhim ose të bëjmë gjëra që nuk i kemi pranuar me vetëdije. Për shembull, furrat mund të lejojnë daljen e aromës së bukës së freskët të pjekur jashtë dyqani për t’i joshur njerëzit të futen brenda. Ndërkohë gjatë një fjalimi, një politikan mund ta vërë theksin tek fjalë specifike për t’i bindur njerëzit që t’i mbështesin.

Pavarësisht se e dimë se mund të ndodhë një gjë e tillë, zakonisht ne nuk mund të jemi të sigurt se po manipulohemi në këtë mënyrë. Por a funksionojnë vërtet metoda të tilla? Studimet psikologjike nuk kanë gjetur një përgjigje të prerë për këtë pyetje. Por është interesante të reflektojmë se si ndikon e gjitha kjo në besimin tonë tek vullneti i lirë. Ne vendosëm të hulumtojmë mbi këtë temë gjatë 2 viteve të fundit. Në 8 studime të ndara kemi përfshirë 1230 njerëz në disa skenarë bazuar në shembujt e mëparshëm. Skenarët ishin nga një sërë kontekstesh (marketing/reklamim, kërkime, fushata politike, media sociale, terapi). Për secilin skenar, njerëzit duhej të vlerësonin shkallën në të cilën ata besonin se kishte manipulim të pavetëdijshëm dhe masën në të cilën ruhej zgjedhja e lirë.

Secili person duhej të jepte disa herë vlerësimet mbi zgjedhjen e lirë dhe vlerësimet në lidhje me manipulimin e pavetëdijshëm, dhe duhej ta bënte këtë për secilin nga skenarët që iu paraqit. Përmbledhja e të gjitha vlerësimeve të dhëna në të 8 studimet me 1.230 pjesëmarrësit, gjeneroi mbi 14.000 përgjigje. 3.7 për qind prej tyre e vlerësuan me zero lirinë e zgjedhjes, 8.4 për qind e vlerësuan në maksimum (me 10) lirinë e zgjedhjes, ndërsa pjesa tjetër ishte diku në mes. Këto të dhëna janë ende të papërpunuara, por na japin gjithsesi një përshtypje se edhe aty ku përshkruhej se po ndodhte manipulimi, kishte proporcionalisht më shumë atribuime të zgjedhjes së plotë të lirë sesa të mungesës së saj.

Pra në përgjithësi, njerëzit kishin më shumë gjasa të mendonin se kishin zgjedhje të plotë të lirë sesa aspak liri në këtë aspekt. Por nga ana tjetër kanë më shumë gjasa të besojnë se ndonjëherë po manipuloheshin. Ne pritëm që të gjenim atë që studiuesit e quajnë një lidhje negative. Pra që sa më shumë njerëzit mendojnë se po manipulohen, aq më pak besojnë se kanë vullnet të lirë. Por nuk gjetëm diçka të tillë. Në shumicën e studimeve, nuk kishte asnjë lidhje të besueshme midis të dyjave. Si mund të ndodhë kjo? Një arsye për këtë është mënyra se si ne mendojmë në lidhje me metodat e manipulimit.

Shanset janë që ne të mos mendojmë se ato do të funksionojnë shumë mirë me ne, duke i lënë njerëzit të besojnë se ata mbeten në krye të zgjedhjeve të tyre. Gjithsesi, ne zbuluam një diferencë kur njerëzit jepnin vlerësime nga një këndvështrim jo–personal dhe kur atyre u kërkohej të imagjinonin veten në skenarë. Sa më shumë që njerëzit e imagjinonin mundësinë e manipulimit, aq më shumë e shihnin të cënuar zgjedhjen e tyre të lirë. Por shanset janë që ne jemi të njëanshëm, dhe të mendojmë për të tjerët si më të manipuluar sesa për veten tonë. Ndërkohë, as skenarët nuk ishin të barabartë. Disa njerëzve nuk u interesonte veçanërisht nëse mund të ketë manipulime.

Nëse taktikat e marketingut dhe reklamimi na shtyjnë të zgjedhim një markë të lirë të pastës së dhëmbëve në krahasim me një tjetër, atëherë për sa kohë që po kursejmë para, kjo gjë nuk ka rëndësi. Pra, njerëzit e justifikojnë besimin e tyre në vullnetin e lirë duke supozuar se manipulimi ndodh vetëm për situata për të cilat nuk u intereson, apo që ata zgjedhin në mënyrë aktive të manipulohen, pra e lënë vetë që të ndodhë. Kjo mund të jetë një qasje e arsyeshme për reklamimin. Por nëse do të hyjmë në një kabinë votimi, do të duam të pretendojmë se është zgjedhja jonë e lirë se për kë po votojmë, dhe jo një kombinim taktikash psikologjike që ndërhyjnë në pavetëdijen tonë. Në një situatë të tillë, kemi më shumë gjasa të besojmë se nuk po ndodh asnjë manipulim, apo se jemi disi të imunizuar ndaj tij.

Ajo që na tregojnë gjetjet nga studimi ynë, është se në një nivel themelor ne duam të ruajmë besimin se jemi të lirë të zgjedhim. Por se sa e ruajmë besimin, duket se varet nga ajo që është në rrezik. Ndërsa mund të duket e paarsyeshme, është në fakt e dobishme dhe e shëndetshme. Tek e fundit, bota siç e njohim ne do të shembej totalisht, në rast se ne do të refuzonim të besojmë se jemi përgjegjës për veprimet tona./Përkthyer dhe përshtatur nga The Conversation-Limit.al