Ofendoi arbitrin e finales së Europa League, Mourinho në telashe, UEFA nis hetim

Roma nuk ia doli dot të fitonte Europa Leauge, duke u mposhtur në finale nga Sevilla, vetëm pas goditjes së 11-metërshave. Skuadra italiane dështoi të fitonte trefeun e dytë kontinental në historinë e tyre dhe të dytin radhazi, pas suksesit në Ligën e Konferencës, vitin e shkuar në Tiranë.

‘Verdhekuqtë’ nga kryeqyteti italian nuk mundën të thyenin hegjemoninë e klubit andaluzian në këtë kompeticion.

Por finalja e humbur prodhoi tepër polemika, sidomos në Itali, për shkak të mënyrës së gjykimit të ndeshjes, gjë që nuk la aspak të kënaqur Romën

Disfata nuk u përtyp mirë nga trajneri i verdhekuqve Jose Mourinho, të cilit nuk i doli inati për një penallti të pa dhënë sipas tij pas një prekje të topit me dorë afër fundit të takimit.

Portugezi kritikoi arbitrin Anthony Taylor duke i thënë: Ti je një turp, kjo është një turp, e më tej duke vijuar me fyrje edhe më të rënda.

Për shkak të këtyre ofendimeve dhe sjelljeve të tij, UEFA ka vendosur që të nis një hetim ndaj “Special One”.

“Procedurat disiplinore kanë filluar në përputhje me nenin 55 të Rregullores Disiplinore të UEFA-s në lidhje me finalen e Ligës së Evropës ndërmjet Sevillas dhe Romës, të luajtur më 31 maj 2023 në Budapest, Hungari, deklaroi institucioni më i lartë i futbollit në Europë.

Ndërkohë, përveç Mourinhos hetimet kanë nisur edhe për dy klubet finaliste.

Si Sevilla ashtu edhe Roma akuzohen për hedhje të sendeve në fushë nga ana e dy tifozerive, ndezje të flakadanëve, trazira të turmës, sjellje e pahijshme e ekipit etj.

Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës pranë UEFA-s do të vendosë së shpejti për dënimet që do të marrë./Limit.al