Shqipëria do të nis me përgatitjet për dy ndeshjet e radhës ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, për llogari të fazës eleminatore për Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Gjermani.
Tekniku i Kombëtares, Silvinjo ka marrë një lajm të hidhur së fundmi. Trajneri brazilian do të duhet të bëjë në dy sfidat e radhës, pa shërbimet e mesfushorit Klaus Gjasula.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bëri me dije se futbollisti kuqezi ka pësuar një dëmtim fizik dhe i është nënshtruar analizave mjekësore në ditët e fundit në bashkëpunim edhe me stafin mjekësor të përfaqësueses Kombëtare.
Pas daljes së rezultateve dhe konsultave, stafi mjekësor ka konkluduar se lojtari kuqezi nuk mund të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e Shqipërisë dhe ndërkohë 33-vjeçari do të nisë fazën e rikuperimit pranë klubit të Darmstadt.
Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Moldavisë më 17 qershor, në ‘Air Albania’, ndërsa 3 ditë më pas do të udhëtojë drejt Ishujve Faroe.
Kujtojmë që Klaus Gjasula zhvilloi një sezon mjaft të mirë me skuadrën gjermane të Darmstadt, ku falë edhe paraqitjeve të tij të mira, ekipi i tij arriti ngjitjen në elitën e futbollit gjerman, pas disa sezoneve në Bundesliga 2./Limit.al