MOLDAVI– Ashtu siç dhe pritej tensioni i ditëve të fundit në veri të Kosovës do të zinte peshën kryesore të bisedimeve në samitin që liderët europianë po zhvillojnë këtë të enjte në Moldavi. Kështu Kosova dhe Serbia fajësuan njëra-tjetrën për situatën në veriun e Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani tha se Serbia duhet të ndalojë menjëherë aktivitetet që synojnë destabilizimin e Kosovës për t’i dhënë fund dhunës në veri të vendit. Sipas saj, Serbia po mbështet aktivisht “strukturat ilegale” në Kosovë.
Vjosa Osmani: Tensionet u shkaktuan pasi presidenti serb Aleksander Vuçiç, po mbështet politikisht dhe po financon strukturat ilegale që janë kthyer në banda kriminale, të cilat sipas thesarit amerikan dhe Britanisë së Madhe janë organizata kriminale. Janë grupe ekstremisht të rrezikshme që kanë shkaktuar dhunë edhe kundër ushtarëve të NATO. Trysnia, aktualisht, duhet të shkojë te zyra e Vuçiç në Beograd. Ai duhet të kuptojë më në fund, se Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur dhe se do të mbetemi të tillë përgjithmonë. Sa më shpejt ta pranojë ai këtë realitet aq më mirë do të jetë për të ardhmen e vendit të tij dhe për stabilitetin dhe paqen në rajon. Ai duhet të implementojë gjithashtu ato që ka premtuar. Ky është një rast për t’u takuar me liderë evropianë me pikëpamje te njejta, të cilët janë në favor të paqes, sigurisë dhe stabilitetit, dhe që besojnë në një Evropë, të lirë dhe në paqe. Unë nuk mendoj se zoti Vuçiç i përket këtij grupi dhe këtë e tregoi përmes veprimeve dhe retorikës se fundit.
Nga ana tjetër presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se përgjegjësia për tensionet qëndron tek Kurti. Ai u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që t’i tërheqin “kryetarët e supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri, për të zbutur situatën. Një hap i tillë sipas Vuçiç, do të ishte lëvizja më e fuqishme për zgjidhjen e krizës.
Aleksandër Vuçiç: Serbia do të bëjë të pamundur për të zbutur tensionet. Kjo do të thotë se do të përpiqemi të bindim serbët të protestojnë qetësisht. Sigurisht, ata janë shumë të vendosur; duan të shohin tërheqjen e njësive speciale në Kosovë që janë aty ilegalisht dhe jo ne përputhje me marrëveshjen e parë të Brukselit. Po ajo që unë besoj sedo të ishte arma më e fuqishme për zgjidhjen e krizës, është tërheqja e kryetarëve të pretenduar të cilët u zgjodhën nga autoritetet e Prishtinës. Ato u zgjodhën me vetëm 3.4 për qind, jo të votave portë pjesëmarrësve, diçka që nuk ka ndodhur askund në botë. Nëse ndërmerren këto hapa ne më pas do të kemi forcën jo vetëm të angazhohemi në bisedime për zgjedhjen e krizës, por edhe për të bërë disa hapa përpara.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka pasur një takim “kokë më kokë” me Aleksandër Vuçiç e më pas një tjetër takim ku merrte pjesë dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen. Rama bëri thirrje për ç’tensionin të situatës dhe uljen në tryezën e dialogut që do të çojë më pas në nënshkrimin e një marrëveshjeje për njohje të ndërsjelltë.
Dhe presidenti freancez Emmanuel Macron bëri thirrje për ç’tensionim të situatës ku sërish e drejtoi gishtin e ‘’fajtorit’’ tek Kosova. Dhe aletatët më të mëdhenj të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje këtë të enjte që palët të ulën në dialog. Një ftesë e tillë nuk është kundërshtuar nga Albin Kurti, i cili ka lënë një dritare të hapur dhe sa i përket zgjedhjeve të parakohëshme në komunat veriore me shumicë serbe.
Ndërsa protesta e kësaj të enjteje në Zveçan ishte e qetë dhe nuk u regjiustrauan përplasje. Serbët u mblodhën më të pakët në numër sot ndërsa KFOR ka rritur vigjelencën sa i përket çdo përshkallëzimi të mundshëm. Dita kur liderat politikë të ulën në bisedime për ti dhënë fund konfliktit në “tavolinë” duket e largët./Limit.al