Dikur rreth 50.000, sot afër 4.000 paqeruajtës të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR, vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë. Trupat e KFOR-it, që janë nga 27 shtete të botës, kanë për mandat që të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 10 qershor 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës.
Kjo marrëveshje parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Ajo u nënshkrua midis KFOR-it dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë, duke i dhënë fund bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.
Numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë ndër vite është zvogëluar, pas përmirësimit të situatës në veri. Por, pas rritjes në veri të Kosovës në fund të majit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar për rritjen e numrit të trupave, duke shtuar se numri i tyre mund të rritet edhe më shumë, për të qetësuar dhunën në veri.
Çfarë thotë rezoluta 1244 për misionin e KFOR-it?
Në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së thuhet se prania ndërkombëtare e sigurisë, e cila do të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme të forcave të NATO-s, “duhet të vendoset nën një komandë dhe kontroll unik dhe të autorizohet për ta krijuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë si dhe ta lehtësojë kthimin e sigurt të te gjithë refugjatëve dhe të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre”.
Në rezolutë po ashtu thuhet se trupat ndërkombëtare kanë për mandat që të sigurojnë “tërheqjen [e trupave jugosllave] dhe parandalimin e kthimit të ushtrisë jugosllave në Kosovë, të policisë dhe forcave paramilitare”.
Po ashtu, aty thuhet se paqeruajtësit duhet të “çmilitarizojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe grupet e tjera të armatosura të shqiptarëve të Kosovës”.
Synimet e mandatit të parë të KFOR-it
- Të dekurajojë urrejtjen dhe kërcënimet e forcave jugosllave dhe serbe ndaj Kosovës
- Të sigurojë një mjedis të sigurt, rregull dhe siguri publike
- Të çmilitarizojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës
- Të ndihmojë në përpjekjet humanitare ndërkombëtare si dhe të bashkëpunojë me pranin civile ndërkombëtare
Detyrat fillestare të KFOR-it
Fillimisht, KFOR-i kishte detyra – disa prej të cilave vazhdon t’i ketë – që përfshinin: ndihmën në kthimin dhe vendosjen e refugjatëve dhe personave të zhvendosur; çmimin dhe rindërtimin; ndihmën mjekësore; sigurinë dhe rendin publik; mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë; sigurinë kufitare; ndalimin e trafikimit ndërkufitar të armëve; zbatimin e programit të gjerë të Kosovës për amnistinë për armët, municionin dhe eksplozivët; rendin dhe ligjin; sistemin gjyqësor dhe penal; proceset zgjedhore dhe aspektet e tjera politike; jetën ekonomike dhe sociale në Kosovë.
“Vëmendje e posaçme vazhdon t’i kushtohet mbrojtjes së minoriteteve. Këtu përfshihen patrullimet e rregullta afër enklavave të minoriteteve, pikat e kontrollit, përcjellja që u ofrohet grupeve të minoriteteve, mbrojtja e objekteve të trashëgimisë, sikurse manastiret, si dhe donacionet, që përfshijnë ushqim, veshmbathje dhe pajisje shkollore”, thuhet në ueb-faqen e KFOR-it.
Detyrat shtesë
Përveç detyrave fillestare, më 2008, NATO u pajtua që misioni i saj në Kosovë të kishte disa detyra shtesë, në koordinim me institucionet e rëndësishme në Kosovë.
Ndër detyrat e reja që iu dhanë misionit ishte edhe të asistonte në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe trajnimin e pjesëtarëve të kësaj force.
“FSK është një forcë vullnetare e armatosur lehtë. Përgjegjësia e parë e saj për detyrat e sigurisë, që nuk janë të përshtatshme për policinë, sikurse përgjigja ndaj emergjencave, shpërthimi i kontrolluar i eksplozivëve, menaxhimi i materialeve të rrezikshme, fikja e zjarrit dhe mbrojtja civile”, thuhet në përshkrimin që i bën KFOR-i FSK-së.
Ibishi: Detyra e KFOR-it, mbrojtja nga agresioni i mundshëm
Njohësi i fushës së sigurisë në Kosovë, njëherësh ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi, tha Policia e Kosovës mban përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në territorin e Kosovës.
Por, në rastet kur vlerësohet se rrezikohet ambienti i sigurisë, sipas Rezolutës 1244 dhe Kushtetutës se Republikës së Kosovës, këtë mandat e ka KFOR-i.
“Por, për çështjet e mbrojtjes nga një agresion i mundshëm, e ka rolin KFOR-i. Forca e Sigurisë së Kosovës, si forcë e armatosur, është në fazën e tranzicionit, gjegjësisht të formësimit të saj dhe nuk e ka këtë mandat. Pra, KFOR-i ka një mandat superior krahasuar me institucionet vendore tjera të sigurisë”, tha ai.
KFOR-i është reaguesi i tretë për çështjet e sigurisë, pasi në rend të parë është Policia e Kosovës, pasur nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX).
Përveç këtyre detyrave, KFOR-i zhvillon edhe iniciativa për ngritjen e kapaciteteve me organizatat e sigurisë në Kosovë, siç është transferimi gradual i sigurisë për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore te Policia e Kosovës.
Në Kushtetutën e Kosovës thuhet se pavarësisht dispozitave tjera të aktit më të lartë juridik të shtetit, prania ndërkombëtare ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, “përfshirë rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, të 26 marsit të vitit 2007/REL-Limit.al