Kosova po ecën “tehut të thikës” duke i rrezikuar marrëdhëniet me partnerin e saj kryesor perëndimor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerësojnë disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë.
Sipas tyre, zyrtarët e SHBA-së kanë dërguar mesazhe të qarta për Qeverinë e Kosovës, që të mos ndërmarrë veprime të dhunshme në veri të vendit dhe, siç thonë ata, autoritetet e Kosovës duhet t’i përfillin kërkesat dhe rekomandimet e SHBA-së.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, reagoi ashpër më 26 maj, duke i kërkuar Kosovës t’i ndalë “masat e dhunshme”. Ai tha se veprimet e autoriteteve të Kosovës do të rezultojnë me pasoja në raportet ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës.
Në veri të Kosovës janë shtuar tensionet, më 26 maj, pasi Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të mundësuar hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Përplasje ndërmjet pjesëtarëve të KFOR-it dhe grupeve të qytetarëve serbë që kanë protestuar para objekteve komunale, në këto komuna të banuara me shumicë serbe, janë shënuar të hënën, më 29 maj. Ato, madje, kanë rezultuar me dhjetëra të lënduar nga të dy palët.
Përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), thonë se nga Qeveria e Kosovës duhet kërkuar llogari për veprimet që i kërcënojnë raportet e Kosovës me SHBA-në.
Ish-ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, vlerëson se këto raporte, tashmë janë dëmtuar.
Veprimet e autoriteteve të Kosovës, “të rrezikshme” për raportet me SHBA-në
Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se pas ndërhyrjes së autoriteteve të Kosovës në komunat në veri, siç thonë ata, pa konsultim me partnerët ndërkombëtarë, raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së tashmë janë të kërcënuara.
Agron Krasniqi, thotë se vetë deklarata e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pasqyron situatën se në çfarë pike kanë arritur raportet Kosovë-SHBA.
“Si mund të jenë raportet ndryshe, kur ta jep përgjigjen vetë sekretari amerikan i Shtetit, Blinken. Ai i thotë kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa konkretë dhe ta stabilizojë gjendjen. Ndërkaq, gjendja po shihet”, thotë Krasniqi.
Eroll Poqinka vlerëson se marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë kërcënuar seriozisht. Prishja e këtyre marrëdhënieve, siç thotë ai, nuk guxon të ndodhë dhe Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vetëdijshme për një gjë të tillë.
“Sipas mendimit tim, jemi ‘në tehun e thikës’ dhe veprimet e fundit [të autoriteteve të Kosovës në veri] janë shumë të rrezikshme. Sigurisht që, unë mendoj, është shumë serioze prishja e raporteve Kosovë-SHBA. Jo nëse prishen, por nuk guxojnë fare të prishen. Nuk na konvenon fare kjo”, thekson Poqinka.
Kushtrim Haxha thotë se për Kosovën është me shumë interes që ta ruajë partneritetin e saj me SHBA-në.
“Mendoj që politika është në teh. Ajo nuk është shumë e kollajshme. Por, në situatën e tillë, vendimet janë goxha në teh. Ato i takojnë politikës. Të shohim se çfarë po ndodh, por nuk besoj se i prishim raportet me Amerikën”, vlerëson Haxha.
Qeveria “e heshtur”, opozita thotë se “dikush duhet të japë llogari”
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës që të komentojë deklaratat e zyrtarëve amerikan lidhur me ngjarjet në veri të Kosovës, përfshirë deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, se veprimet e Qeverisë së Kosovës “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet bilaterale” me SHBA-në.
Deri në publikimin e këtij teksti, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.
Veprimet që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në veri të vendit, përveç se janë dënuar nga zyrtarët e SHBA-së, ato janë parë edhe “në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.
Përfaqësuesit e partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së, thonë se Qeveria e Kosovës duhet të reflektojë lidhur me vendimet e saj dhe të veprojë në përputhje me deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, zëvendëskryetar i Komisionit parlamentar për punë të jashtme dhe diasporë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Kurti, në kontekstin e zhvillimeve në veri dhe deklaratave të zyrtarëve amerikanë, duhet të ndërmarrë hapa për uljen e tensioneve në veri, por edhe të japë përgjegjësinë për gjendjen aktuale atje.
“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e besoj që rrezikohen. Por, përgjegjësia është e jona dhe për këto veprime dikush duhet të japë llogari”, thekson Haliti.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, shpreson që deklarata e zotit Blinken i është adresuar Qeverisë së Kosovës dhe “pasojat që përmenden në marrëdhënie, të jenë me ata që e kanë shkaktuar” tensionet në veri dhe jo me popullin e Kosovës.
“Unë konsideroj që kërcënimin serioz ndaj raporteve të veçanta që Kosova i ka me SHBA-në, është kah e sjell kjo Qeveri dhe kryeministri i saj [Albin Kurti] me këto veprime, me këto sjellje dhe me deklarata, shpeshherë. Veprimet e njëanshme, sjelljet e tilla, natyrisht që i lëndojnë [marrëdhëniet Kosovë-SHBA]. Unë shpresoj që të mos përkthehen në mosmirënjohje kolektive. Përkundrazi, Kosova do ta ruajë mirënjohjen e përhershme dhe do të jetë falënderuese për gjithë atë kontribut [të SHBA-së për Kosovën]”, vlerëson Haziri.
Ish-ambasadori Gashi: Raportet Kosovë-SHBA janë dëmtuar
Diplomati kosovar, Qëndrim Gashi, ish-ambasador i Kosovës në Francë, vlerëson se “nëpërmjet aksioneve të pamatura të Qeverisë së Kosovës” marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “tashmë janë dëmtuar”.
“Do të thotë, deklarata e sekretarit [amerikan të Shtetit, Antony] Blinken ishte e ashpër dhe fatkeqësia e jonë është se deklaratat e tjera, më pak të ashpra dhe jo të drejtpërdrejta, nuk janë marrë parasysh. Ne, si qytetarë të Kosovës, kemi arsye të shqetësohemi nga një mungesë vizioni, e cila e shoqëron politikën e jashtme të Kosovës qe një kohë”, thotë Gashi.
Ai shton se Qeveria e Kosovës – edhe pas porosive që kanë ardhur nga zyrtarët e SHBA-së – ka vazhduar me veprimet e saj në veri të vendit. Në këtë kontekst, sipas tij, janë dëmtuar interesat e Kosovës, e cila synon integrimin euroatlantik.
“Për një gjë të tillë, bashkëpunimi dhe partneriteti i afërt me SHBA-në është esencial. Kur ai bashkëpunim dhe partneritet dëmtohet, atëherë duhet të shikojmë se ku është fajtori. Ne, si qytetarë të Kosovës, nuk mund t’i kërkojmë llogari Qeverisë amerikane, por duhet t’i kërkojmë llogari Qeverisë së Kosovës”, shprehet ish-ambasadori Gashi.
Ai thekson se, me gjithë kritikat “e merituara” që mund t’i adresohen Qeverisë së Kosovës, “nuk duhet humbur fokusin nga fakti që Beogradi vazhdon të jetë bartësi kryesor i destabilitetit në rajon”.
Të hënën, përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në Kosovë – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës – kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili mori pjesë në takim, shprehu shqetësimin “për zhvillimet e vazhdueshme” në veri të Kosovës dhe i kërkoi kryeministrit Kurti “të ndërmarrë disa hapa për të siguruar që të arrihet de-përshkallëzimi” i situatës.
Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 29 maj, tha se Qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet nga përpjekjet për instalimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Po atë ditë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, tha se kryetarët e komunave në veri të Kosovës “e kanë obligim ligjor të fillojnë punën menjëherë”, ndërkaq institucionet publike kanë obligim që “të sigurojnë kushtet që ata t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre”./REL-Limit.al