Granit Xhaka e mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij me Arsenal, duke shënuar një dygolësh në ndeshjen e fundit të kampionatit anglez. Skuadra londineze mposhti me rezultatin e thellë 5-0 Wolves në ‘Emirates Stadium’.
Xhaka ishte autori i dy golave të parë. Mesfushori dardan zhbllokoi sfidën në minutën e 11-të dhe më pas realizoi edhe të dytin në minutën e 14-të.
Një mbyllje emocionuese për kapitenin e kombëtares zvicerane, i cili u transferua tek Arsenal në verën e vitit 2016, për 45 milionë euro nga Borussia M’Gladbach.
Golat e tjerët të takimit u shënuan nga Saka, Jesus dhe Kiwior.
Tottenham mbetet jashtë kupave të Europës. Gjelat e Londrës edhe pse mposhtën në transfertë Leeds me shifrat 1-4, ata nuk ja dolën dot të renditeshin as në vendin e 7-të, që të çon në Conference League. Ekipi londinez e mbyll kampionatin në vendin e 8-të, me 60 pikë, ndërkohë që Aston Villa preu biletën për në Ligën e Konferencës, duke u pozicionuar në vendin e 7-të me 61 pikë.
Kampionët e Premier Leagues në vitin 2016, Leicester bien nga kategoria.
Edhe pse në ndeshjen e fundit, Leicester arriti të triumfonte ndaj West Ham 2-1, fitorja u bë e pavlefshme, pasi nga ana tjetër Everton fitoi ndaj Bournemouth me rezultatin 1-0.
Një festival golash u zhvillua në ‘St. Mary’s Stadium’. Southampton dhe Liverpool u ndalën në një barazim mes tyre me shifrat 4-4.
Jota dy herë dhe Firmino e Gakpo realizuan për skuadrën e Klopp, ndërsa për vendasit shënuan Ward-Prowse, Sulemana dy herë dhe Armstrong.
Në ndeshjet e tjera të Premier League, Manchester United triumfoi ndaj Fulham 2-1, kampionët e Manchester Cityt u mundën në transfertën e Brentford 1-0, ndërsa Chelsea dhe Newcastle u mbyll në barazim 1-1./Limit.al