Një zyrtar në Indi është pezulluar nga puna, pasi ka urdhëruar që të thahet një rezervuar uji për të gjetur celularin e tij. U deshën 3 ditë për të shkarkuar miliona litra ujë nga diga, pasi Rajesh Vishwas i ra celulari duke bërë një selfie, raporton BBC.
Në kohën kur u gjet, celulari ishte shumë i lagur nga uji dhe nuk punonte. Vishwas pretendoi se celulari përmbante të dhëna të ndjeshme të qeverisë dhe kishte nevojë për rikuperim.
Por ai është akuzuar për keqpërdorim të pozicionit të tij si zyrtar. Inspektorit të ushqimeve i ra telefoni i tij Samsung, me vlerë rreth 1,200 dollarë, në digën Kherkatta, në shtetin qendror indian të Chhattisgarh. Pasi zhytësit vendas nuk arritën ta gjenin, ai pagoi që të sillnin një pompë nafte.
Ai tha se kishte leje verbale nga një zyrtar për të derdhur “pak ujë në një kanal aty pranë”, duke shtuar se zyrtari i ka thënë se nga kjo “do të përfitonin fermerët që do të kishin më shumë ujë”.
Pompa funksionoi për disa ditë, duke zbrazur rreth dy milionë litra ujë, sasi që mjafton për të ujitur 600 hektarë tokë bujqësore. Zbrazja e rezervuarit u ndalua nga një zyrtar tjetër, i departamentit të burimeve ujore.
“Ai është pezulluar deri në përfundim të hetimit. Uji është një burim thelbësor dhe nuk mund të shpërdorohet në këtë mënyrë,”- tha Priyanka Shukla, një zyrtare e qarkut Kanker, për gazetën “National”.
Vishwas ka mohuar të ketë keqpërdorur pozicionin e tij si zyrtar. Por veprimet e tij janë kritikuar nga politikanët.