Ballina Bota Një brez pa duhan – Portugalia do të ndalojë pirjen e duhanit...

Një brez pa duhan – Portugalia do të ndalojë pirjen e duhanit në ambientet e jashtme

Qeveria e Portugalisë prezantoi të enjten legjislacionin për të shtrirë ndalimin e pirjes së duhanit në zonat e jashtme, duke përfshirë tarracat e mbuluara dhe për të kufizuar shitjet e duhanit, pasi shpreson të rrisë një brez pa duhan deri në vitin 2040.

“Me këtë amendament, ne do të fillojmë sot të mbrojmë të rriturit e së nesërmes”, tha ministri i Shëndetësisë Manuel Pizarro në një konferencë për shtyp, duke hedhur poshtë kritikat nga disa grupe biznesi që thonë se masat janë shumë të ashpra dhe diskriminuese.

Nëse miratohet nga parlamenti, ku socialistët në pushtet kanë shumicën, duhanpirja pranë ndërtesave publike si shkolla, universitete, spitale apo ambiente sportive, jashtë restoranteve, bareve dhe kafeneve do të ndalohet nga 23 tetori.

Restorantet, baret dhe klubet e natës që kanë zona të dedikuara për duhanpirjen me izolim adekuat, do të lejohen t’i mbajnë ato deri në vitin 2030.

Nga viti 2025, vetëm duhanxhinjtë e licencuar dhe dyqanet e aeroportit do të lejohen të shesin cigare dhe produkte të tjera të duhanit, që do të thotë se makinat shitëse, baret, restorantet dhe pikat e karburantit nuk do të lejohen më t’i ofrojnë ato.

Sipas një direktive të Bashkimit Evropian, Portugalia po ndryshon gjithashtu ligjin për të barazuar produktet e duhanit elektronik me duhanin konvencional. Shitja e duhanit elektronik me aromë do të ndalohet.

Kreu i shoqatës së restoranteve PRO.VAR, Daniel Serra, tha se masat po largonin një burim të ardhurash nga bizneset e vogla shpesh në vështirësi. Shoqata kombëtare e shitësve me pakicë të karburanteve, që operojnë stacionet e karburanteve, e quajti planin të padrejtë dhe joproporcional.

Një paketë cigare në Portugali kushton rreth 5 euro – një nga çmimet më të ulëta në Evropën Perëndimore. Disa argumentojnë se qeveria duhet të rrisë taksën e duhanit, por Pizarro tha se kjo nuk ishte një prioritet pasi çmimet përtej nivelit të caktuar thjesht do të nxisnin kontrabandën.

Sipas qeverisë, rreth dy të tretat e vdekjeve në mesin e duhanpirësve i atribuohen përdorimit të duhanit dhe duhanpirësit jetojnë mesatarisht 10 vjet më pak se një jo duhanpirës. Vlerësohet se në vitin 2019 rreth 13,500 vdekje ishin për shkak të duhanit në Portugali, e cila ka një popullsi prej rreth 10 milionë banorësh.