Vizita në Prishtinë/ Varhelyi vlerëson qëndrimet e Kosovës kundër Rusisë! Dialogu me Serbinë drejt hapave të suksesshëm

KOSOVË-Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi gjatë vizitës së sotme në Prishtinë është takuar me zyrtarët e lartë të vendit ku ka dhënë dhe mesazhet e tij. Sipas Komisionerit Kosova është e përkushtuar sa i përket përafrimit me Bashkimin Evropian.

Oliver Varhelyi: Ju keni treguar zotimin tuaj jo vetëm me fjalë por edhe duke na bashkuar me qëndrime të qarta sa i përket qëndrimit tonë rreth agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ata zhvilluan një konferencë të përbashkët për mediat ku ai bëri thirrje që të shftytëzohet momentum dhe të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Oliver Varhelyi: Mendojmë që është bërë progres në vitin e kaluar. Tash është e domosdoshme që të dyja palët t’i ofrojnë dhe t’i zbatojnë të gjitha obligimet pa vonesa, sepse duhet ta shfrytëzojmë momentumin. Të ecim para me zbatimin e marrëveshjes sa më parë dhe të zbatohen pa kushte. Ne nga ana jonë jemi të gatshëm për të ofruar programin e investimeve, nga i cili do të përfitojnë të gjithë përmes një dialogu të suksesshëm.

Ndërsa Presidentja Vjosa Osmani tha se ndonëse ka shumë punë për t’u bërë, përkushtimi i Kosovës për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për t’u afruar me Bashkimin Europian mbetet i palëkundur.

Vjosa Osmani: Në këtë frymë, edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një rikonfirmim angazhimi i punës tonë të përditshme. Mbi të gjitha është rikonfirmim i orientimit tonë euro-atlantik. Në këto përpjekje të përbashkëta, BE-ja e ka përkushtimin tonë të plotë, prandaj mirëpresim iniciativa të ngjashme edhe në vazhdim.

Vizita e Varhelyit në Kosovë shënon fillimin e një programi të përbashkët mes BE-së dhe Kosovës për forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni Europian ka njoftuar se ky program i BE-së, i financuar me 6.5 milionë euro, do të zbatohet në një periudhë kohore prej tre vjetësh, me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe ka për qëllim të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar./Limit.al