Numri i emigrantëve që mbërritën në Britani në vitin 2022 arriti shifrat rekord prej 1 milion e 163 mijë, shifër e publikuar të enjten, me rritjen më të madhe mes njerëzve nga vendet jo-evropiane.

Në vend të parë për vitin 2022 rezultojnë emigrantët nga Ukraina, rreth 114 mijë dhe më pas ata nga Hong Kongu, rreth 52 mijë, të cilët kanë përfituar nga programi i lehtësimit të vizave, pas dorës së hekurt të ushtruar nga qeveria kineze ndaj të drejtave të njeriut.

Migrimi neto, numri i njerëzve që mbërrinin minus numrin që largoheshin, u rrit në 606 mijë nga 504 mijë në 12 muajt deri në qershor, i nxitur nga hapja e botës pasi kufizimet e COVID-19 morën fund dhe skemat që u ofronin strehë njerëzve që ikin nga lufta dhe persekutimi në Ukrainë dhe Hong Kong, tha Zyra për Statistikat Kombëtare atje.

Shifrat, të cilat për herë të parë përfshijnë azilkërkuesit, tregojnë se pothuajse një milion prej të ardhurve ishin shtetas jo të BE-së, ndërsa vetëm 151 mijë ishin nga BE-ja.

Ndërkohë, afganët përbënë pjesën dërrmuese të azilkërkuesve të ardhur me varka të vogla në tre muajt e parë të vitit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme britanike, nga rreth 3 mijë e 800 personat që mbërritën në bregdetin e lokalitetit të Kentit, thuajse 900 ishin afganë.

Kombësia e dytë më e madhe në shifra ishte ajo e indianëve, rreth 670, të ndjekur nga iranianët, irakenët dhe sirianët.

Sa u takon shqiptarëve, kalimi përmes kanalit të La Manshit thuajse është ndalur. Pas më shumë se 12 mijë të ardhur në 2022-shin, vetëm 28 arritën të kalonin nga muaji janar deri në mars të këtij viti.

Në tërësi, numri i emigrantëve që hynë në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit të kaluar arriti në 606 mijë njësi. Bëhet fjalë për një shifër rekord për një vit, që megjithatë është më e ulët nga sa parashikohej.

Ndërkohë, sa u takon atyre që kanë aplikuar për azil, numri është rritur në 172 mijë e 700 raste.

Britanikët që ktheheshin nga jeta jashtë shtetit përbënin pak më pak se 90 mijë të ardhur. Numri i të emigruarve ose i kthyer në vendin e tyre ishte 557 mijë.