BE pret që Mali i Zi të fokusohet në reformat drejt integrimit

MALI I ZI– Me marrjen e detyrës nga presidenti i ri i Malit të Zi Jakov Milatoviç, Bashkimi Europian pret që udhëheqja e re e Malit të Zi të fokusohet në reformat kryesore që janë të nevojshme për përparimin e vendit në procesin e integrimit europian.

Këtë e ripërsëriti zëdhënësja e Komisionit Europian Ana Pisonero, e cila konfirmoi se institucionet europiane janë të gatshme të bashkëpunojnë me Malin e Zi dhe të gjithë aktorët politikë për të ndihmuar vendin të qëndrojë në rrugën e tij strategjike dhe të ndërtojë një konsensus mbi veprimet prioritare që janë kyçe për procesin e pranimit të vendit në BE.

Ana PisoneroPërqendrimi në reformat urgjente të shtetit të së drejtës, të cilat janë renditur në raportin e fundit të Komisionit Evropian për zgjerimin, janë të një rëndësie kyçe. Sigurisht, për këtë qëllim, ne vazhdojmë të mbështesim Malin e Zi në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE. Për ne, stabiliteti politik është kyç për përparimin në rrugën drejt BE-së, një proces ng ai cili përfiton si Mali i Zi, ashtu edhe Evropa në tërësi.

Gjatë fjalës së saj Pisonero konfirmoi se pret që së shpejti në Bruksel të organizohen takimet e para të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe presidentit të sapozgjedhur, Jakov Milatoviç, shkruan REL.

Jakov Milatoviç mori zyrtarisht detyrën në një ceremoni shtetërore ku të ftuar ishin presidentë nga vende të ndryshme të Vashkimit Europian më 20 maj. Ai mposhti në garë Milo Gjukanoviçin, i cili mbante postet më të larta në Mal të Zi për tre dekada.

Vizita e tij e parë jashtë vendit pritet të jetë në Bruksel. Milatoviç do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet më 1 qershor në Kishinjev të Moldavisë./Limit.al