Një orë, që dikur ishte në pronësi të perandorit të fundit të Dinastisë kineze Qing, është shitur për një çmim rekord prej 6.2 milionë dollarësh në një ankand në Hong Kong më 23 maj.
Një koleksionist aziatik, me banim në Hong Kong, thirri në telefon dhe bleu orën e rrallë të kompanisë, Patek Philippe, që i përkiste perandorit Aisin-Gioro Puyi, bëri të ditur shtëpia e ankandeve.
Jeta e perandorit kinez, Aisin-Gioro Puyi, është paraqitur në filmin që ka fituar Oscars, të titulluar “The Last Emperor”.
Çmimi real i shitjes së orës është 5.1 milionë dollarë, ndërkaq pjesa tjerë e vlerës është taksa që duhet të paguajë blerësi.
Thomas Perazzi, që udhëheq pjesën e orëve në shtëpinë e ankandeve Philips Asia, i tha “Reuters” se ky ishte “rezultati më i lartë” i çdo ore të dorës që dikur i përkiste ndonjë perandori.
Ora që perandori i fundit kinez kishte mbajtur, ishte një prej tetë orëve të llojit, Reference 96 Quantieme Lune, që kishte prodhuar Patek Philipe. Perandori Puyi ia kishte dhënë dhuratë këtë orë përkthyesit të tij rus, në kohën kur ai ishte i burgosur nga Bashkimi Sovjetik, tha shtëpia e ankandit.
Çmimi fillestar i shitjes së kësaj ore ishte 3 milionë dollarë.
Orët e tjera që kishin qenë të perandorëve dhe që janë shitur në ankande, përfshijnë edhe një orë të prodhuar nga Patek Philippe, që kishte qenë e perandorit të fundit të Etiopisë, Haile Selassie. Ora ishte shitur më 2017 për 2.9 milionë dollarë.