Mediat më të njohura në botë vazhdojnë t’i bëjnë jehonë Shqipërisë turistike.
Më e fundit në radhë është gazeta prestigjioze “Washington Post” që teksa iu sugjeron qytetarëve amerikanë nëntë destinacione pushimesh verore më pak të mbipopulluara me njerëz, nuk lë pa përmendur dhe vendin tonë.
Sugjerimi është që në vend të Mykonosit në Greqinë fqinje, pushuesit mund të provojnë Shqipërinë, pasi do të gjejnë ujë të pastër kristal e çmime të përballueshme. Tundimi për ta vijon me përshkrimin e plazheve mesdhetarë, maleve idilikë për ecje e qyteteve antike.
“Në vend të Mykonosit, provoni Shqipërinë. Greqia renditet lart për udhëtarët amerikanë këtë verë dhe ministri grek i turizmit Vasilis Kikilias po parashikon 10 deri në 20 për qind më shumë vizitorë në vend këtë vit se sa i kaluari. Si fillim, ishulli grek i Mykonos ishte destinacioni kryesor ndërkombëtar në trend i Airbnb për përdoruesit amerikanë. Për një alternativë me ujë të pastër kristal dhe çmime të përballueshme, provoni fqinjin verior të Greqisë, Shqipërinë. Do të gjeni plazhe mesdhetare përgjatë Rivierës Shqiptare, dhe në brendësi, malet janë idilike për ecje, çiklizëm dhe qytete antike”, shkruan media e famshme.