A e keni vënë re ndonjëherë që flluskat, në një gotë shampanje ngjiten lart, në vijë të drejtë? E njëjta gjë nuk ndodh me birrën, apo dhe pije të tjera të gazuara, ku flluskat shpërndahen në mënyrë të çrregullt. Ekspertë nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, kanë tashmë një përgjigje për këtë. Studimi u publikua këtë muaj në revistën shkencore “Physical Review Fluids”, një botim i Shoqatës Amerikane të Fizikantëve.
Një gotë shampanjë është zgjedhja perfekte për çdo festë, sikurse në ‘Searcys’ një lokal që ofron shampanjë në Londër. Por jo të gjithë mund t’i vënë re cilësitë e veçanta të këtyre pijeve të gazuara, cilësi të cilat kanë magjepsur shkencëtarët. Ata më në fund tashmë, e kanë një pergjigje:
“Ka diçka brenda shampanjës, në vetë lëngun që ndikon në lëvizjen e flluskave. Pra, ajo që zbuluam është se këto molekula që ndodhen në sipërfaqen e flluskave dhe ato, në rastin e shampanjës qëllojnë të jenë edhe pjesa më e mirë e saj, pasi janë molekulat që prodhojnë shijen e saj”.
Siç shpjegon eksperti kryesor i këtij studimi profesor Roberto Zenit, jo të gjitha flluskat në pijet e gazuara, sillen në të njëjtën mënyrë. Tek birra, flluskat shkojnë në të gjitha drejtimet.
“Birra sigurisht që ka një shije të ndryshme, përbërje të ndryshme dhe një origjinë krejt të ndryshme nga vera e gazuar, kështu që në atë rast ato molekula, janë të një lloji tjetër, ato janë proteina që janë më të vogla të cilat ndonjëherë ngrihen në sipërfaqe, e ndonjëherë jo”.
Presioni që krijohet gjatë procesit të fermentimit lirohet menjëherë sapo hapet në një shishe shampanje.
Por ka një arsye tjetër të rendësishme se pse lëvizja e flluskave në verën e gazuar, apo tek shampanja, ka përqendruar vëmendjen e shumë shkencëtarëve në mbarë botën. Zoti Zenit shpjegon se kjo po i ndihmon studiuesit të kuptojnë fizikën në botën natyrore, dhe si mund të zbatohet ajo për të ndihmuar shoqërinë njerëzore.
“Kjo është me rëndësi të madhe për të kuptuar shumë fenomene natyrore, si për shembull mënyrën se si ngrihen flluskat e metanit nga fundi i oqeanit”, thotë ai.
“Po në fakt, disa nga eksperimentet i bëmë me shampanjë e birrë, por vetëm disa gota për të treguar arsyen se pse flluskat ngjiten në këtë mënyrë në sipërfaqen e gotës”, thotë Zenit.