Fund i “çmendur” në “Maradona”, Napoli nuk toleron dhe mposht Interin, Lazio i Elseid Hysajt drejt Championsit

Napoli nuk fal, duke likujduar edhe Interin me rezultatin 3-1. Edhe pse tashmë të shpallur kampion të Seria A, Napoli nuk toleroi aspak ndaj zikaltërve duke dominuar takimin ndaj tyre.

Në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’ të tejmbushur, napoletanët kaluan të parët në avantazh në minutën e 67-të me Anguissa, ndërkohë që më herët skuadra milaneze kishte mbetur me 10 lojtarë në fushën e lojës, pas daljes jashtë me dy kartova të verdhë të Gagliardinit, në minutën e 41-të.

Të besuarit e Inzaghit vendosën baraspeshën e përkohshme në të 82-n, me Lukakun.

Di Lorenzo çoi në delir tifozët napoletanë, duke realizuar një super gol, pas vetëm 3 minutash.

Suksesin e Napolit e vulosi Gaetano në minutën e 94-të.

Për Interin që nga minuta e parë u aktivizua edhe mesfushori shqiptar Kristjan Asllani, i cili luajti për 90 minuta.

Me këtë fitore, Napoli vendos edhe një rekord historik. Kjo është hera e parë në historinë e klubit napoletan, që skuadra i mposht të gjithë kundërshtarët, në një sezon të vetëm të Seria A.

Ndërkohë një fitore tepër të rëndësishme arriti Lazio i Elseid Hysajt. Ekipi i Sarrit fitoi në transfertë ndaj Udineses, me shifrat 0-1.

Immobile ishte heroi i skuadrës laciale, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes, në minutën e 61-të. Me këtë triumf, Lazio konsolidon pozitat në vendin e tretë të renditjes./Limit.al