Një alpinist 84-vjeçar që përpiqej të bëhej personi më i vjetër që arrinte majat më të larta të botës, u shpëtua të enjten nga një mal në Nepal, ku u lëndua.
Alpinisti spanjoll Carlos Soria po përpiqej të ngjitej në malin Dhaulagiri, por u lëndua gjatë rrugës për në majë.
Me një helikopter shpëtimi ai u dërgua në një spital në Katmandu për trajtim.
Udhëzuesit sherpa dhe alpinistët e tjerë e kishin ndihmuar atë të zbriste nga mali në kampin bazë, pasi u plagos të mërkurën.
Soria ishte ngjitur në 12 nga 14 malet më të larta në botë mbi 8,000 metra duke përfshirë malin Everest, i cili është më i larti nga të gjithë, raporton “Associated Press”.
Qindra alpinistë dhe udhërrëfyesit e tyre përpiqen të ngjiten në majat më të larta në Nepal gjatë sezonit popullor të alpinizmit pranveror, kur kushtet e motit në male janë më të favorshme.
Sezoni fillon në mars dhe përfundon në maj, pas së cilës moti përkeqësohet, duke e bërë të rrezikshëm qëndrimin në mal.