Parandalohet krimi brenda familjes në Durrës, ishte nisur për të vrarë gruan, arrestohet 40-vjeçari

Një krim i mundshëm brenda familjes është parandaluar në Durrës.

Policia ka vënë në pranga një 40-vjeçar, i cili me armën e mbushur plot, ishte nisur drejt banesës së bashkëshortes, e cila ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje, për t’a vrarë atë.

40-vjeçari i identifikuar si Lulëzim Haxhiu u arrestuan në flagrancë, pasi po qarkullonte me armë zjarri automatik tip ‘MPSH’, në fshatin Shkallnur të Durrësit.

Mësohet se Haxhiu ishte nisur për të vrarë bashkëshorten, pasi kjo e fundit e kishte denoncuar disa ditë më parë për dhunë dhe ishte larguar së bashku me fëmijët nga banesa.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonte 40-vjeçari, gjetën dhe sekuestruan një armën e zjarrit si dhe municion luftarak.

Njoftimi i Policisë:

Durrës /Falë inteligjencës informative, Policia e Durrësit parandalon një ngjarje të rëndë kriminale në familje.

Finalizohet opracioni policor i koduar “Shkallnuri”.

Me armë zjarri me vete, me të cilën dyshohet se do të kryente krim në familje ndaj bashkëshortes së tij, e cila ishte me urdhër mbrojtjeje, kapet dhe vihet në pranga 40-vjeçari.

Sekuestrohen një armë zjarri automatik MPSH dhe municon luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, falë inteligjencës informative se një shtetas po qarkullonte me armë zjarri në fshatin Shkallnur, Durrës, dhe dyshohet se do kryente krim në familje, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes dhe kapjen e shtetasit që qarkullonte me armë zjarri.

Falë vlerësimit në kohë reale të informacionit, si dhe reagimit të menjëhershëm të strukturave të Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkallnuri”, u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. H., 40 vjeç, banues në fshatin Shkallnur, Durrës.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonte ky shtetas, gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri tip automatik PMSH me karikator me municion luftarak.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ishte larguar prej disa ditësh nga banesa, sepse bashkëshortja e tij është e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Durrësit, që prej datës 04.05.2023, për shkak të dhunës së ushtruar nga ky shtetas. 

Dyshohet se 40-vjeçari po kërkonte bashkëshorten për ta vrarë, e cila ishte larguar nga banesa, së bashku me fëmijët. Ndërhyrja në kohë e Policisë për kapjen e tij parandaloi ngjarjen e rëndë kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./Limit.al