Ballina Kosova “Defender 2023” fillon nesër në Kosovë! 1300 trupa të FSK-së pjesë e...

“Defender 2023” fillon nesër në Kosovë! 1300 trupa të FSK-së pjesë e stërvitjes më të madhe ushtarake

KOSOVË-Nga data 21 maj deri më 2 qershor, Kosova do të jetë mikëpritëse e ushtrimit ushtarak më të madh ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit “Defender Europe 23”. Kjo stërvitje organizohet nga Ushtria Amerikane për Europë dhe Afrikë, me ndihmën e forcave aleate të 25 vendeve të NATO-s dhe partnerëve të tyre.

Në këtë ushtrim Forcat e Sigurisë së Kosovës do të marrin pjesë me 1 mijë e 300 trupa. “Defender Europe 2023”, është padyshim ngjarja më e madhe jo vetëm për FSK –ën por është ngjarje historike edhe për vetë Republikën e Kosovës. Kjo dëshmon besimin e SHBA-së në ushtrinë e Kosovës, e cila po dëshmon se është e gatshme për të kryer detyra në mbrojtjen e vlerave më të larta euroatlantike në mbrojtjen e paqes, demokracisë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.

Në një intervistë për Radio Kosvën ish-Komandanti Përgjithshëm i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati thotë se nga ky ushtrim, FSK-ja përfiton përvojat nga ushtritë më të avancuara botërore.

Kadri Kastrati: Kur janë në pyetje pajisjet dhe armatimet që kanë ushtritë e NATO-s kanë një ndërveprimtari apo përvojat e përdorimit të armëve që Ushtria e Kosovës nuk i ka, ndërsa tani ka mundësinë që në ushtrime jo vetëm t’i shohë ato por edhe të manovrojë me to, e që dihet se këto janë përvojat që na kanë munguar, sepse e kemi një ushtri që është shumë e re e që është në ngritje e sipër të kapaciteteve të veta operacionale.

Po ashtu Hisen Berisha, anëtar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, thotë se me këtë ushtrim do të certifikohen kapacitetet e dy regjimenteve të këmbësorisë. Sipas tij, Kosova është në një rrugë të mirë të implementimit të projektit për krijimin e Forcave të Armatosura, por, rrethanat e reja që janë krijuar pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, kanë imponuar disa ndryshime në planin 10 vjeçar.

Hisen Berisha: Kanë imponuar nevojën e heqjes së kufizimit në numër dhe tejkalimin e blerjeve të planifikuara, flasim për teknologji dhe teknikë të avancuar siç janë dronët dhe armatimet e tjera të cilat e mbajnë luftën në distancë. Misioni ynë është krijimi i kapaciteteve mbrojtëse mirëpo, këto kapacitete duhet të kenë aftësinë e parandalimit të çfarëdo invazioni në distancë nga vijat e kufirit.

Kontingjenti prej 1 mijë e 300 trupave do të jetë ndër katër kontingjentet më të mëdha krahas kontingjentit amerikan. Kjo tregon shkallën e ndërveprueshmërisë ushtarake të Kosovës përkrah forcave të shteteve partnere,shprehet gjeneral Sefer Isufi, shef i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes./Limit.al