Dhjami në zonën e barkut është një problem për shumicën e femrave, por edhe për meshkujt. Një sasi e lartë e dhjamit rrit riskun për shumë probleme shëndetësore si diabet, sëmundje zemre, tension të lartë gjaku, madje dhe disa tipe kanceresh.
Dhjami në zonën rreth barkut mund të jetë gjenetike, ose të vijë si pasojë e jetës së pashëndetshme dhe pa ushtrime fizike. Pjesa më e madhe e dhjamit rreth belit vjen nga konsumi i ushqimeve me shumë kalori dhe atyre të pashëndetshme.
Të jeni aktivë është çelësi i humbjes së dhjamit si dhe duhet kombinuar me një dietë të shëndetshme me bazë perimesh. Gjeni një aktivitet që ju pëlqen si ecja, çiklizmi, apo vrapimi.
Një tjetër pjesë e rëndësishme është gjumi. Kur flemë aq sa duhet ne djegim kalori. Studimet e fundit si tek njerëzit ashtu edhe tek kafshët kanë zbuluar se gjumi i pamjaftueshëm çon në shëndoshje.
Më poshtë do t’ju paraqesim disa ushqime që ndihmojnë në uljen e dhjamit në bark:
- Ushqimet e pasura me fibra- Studimet kanë treguar se konsumi i 10 gramëve fibra në ditë ndihmon shumë për të luftuar dhjamin në zonën rreth mesit, prandaj duhet të konsumoni më shumë bizele, fasule, qiqra etj si dhe shumë fruta e perime me lëkurë, po ashtu edhe tërshërë. Disa ushqime me nivel të lartë fibrash janë superushqime të vërteta.
- Ushqimet që përmbajnë proteina- Proteinat ju mbajnë të ngopur për një kohë të gjatë dhe duhet një kohë më e gjatë për t’u tretur. Është llogaritur se për të siguruar 100 kalori nga ushqimet proteinike, trupi duhet të përdori 30 kalori (por vetëm 12 kalori për yndyrë dhe 7 për karbohidrate). Kjo është arsyeja pse shumë lista përmbajnë ushqime si kos, mish pa dhjam, vezë dhe peshk ose fasulet, legumet, arroret dhe farat si dhe perime të posaçme. 1 vezë psh, përmban 7 gramë proteinë. 1 gotë kuinoa ka 8 gramë proteinë dhe 5 gramë fibra. Arrat gjithashtu përmbajnë proteina, fibra dhe yndyrna të shëndetshme dhe të gjitha këto janë të shkëlqyera për t’u konsumuar mes vakteve.
- Ushqimet që përmbajnë ujë- Këto ushqime zënë hapësirë më të madhe. Shumë fruta dhe perime përmbajnë shumë ujë dhe elementë ushqyes dhe nuk përmbajnë shumë kalori dhe kjo është arsyeja pse janë pothuajse në çdo listë, sidomos shalqiri. Frutat e tjera që përmbajnë shumë ujë janë qitro, pjepri, portokalli etj. Perimet që kanë përmbajtje të lartë uji janë trangulli, sallata jeshile, selino, kungulli, domatja, lakra etj.
- Pijet me sheqer- Pijet me sheqer janë armiqtë e shëndetit. Meqenëse janë në formë lëngu njerëzit nuk mendojnë se këto pije ndikojnë në formimin e dhjamit në zonën rreth barkut, sidomos pijet me gaz dhe lëngjet e kutive. Një shishe sprite apo koka-kola mund të përmbajë mbi 200 kalori, ekuivalente me një cheeseburger. Ato gjithashtu shtojnë riskun për sëmundje zemre dhe diabet.
- Ushqimet e skuqura- Ato janë të dëmshme pasi shtojnë riskun për obezitet dhe kancer. Ushqimet e skuqura jo vetëm që nuk kanë vitamina dhe minerale, por kanë në përbërjen e tyre kimikate tepër të dëmshme që shtohen si pasojë e procesit të skuqjes.
- Alkooli- Alkooli përmban sheqer e për pasojë shëndosheni. Po ashtu thuhet se edhe birra krijon fryrje barku.
- Brumërat- Ëmbëlsirat, biskotat, byreku etj, janë të gjitha ushqime që çojnë në formimin e dhjamit të barkut. Evitoni sa më shumë ëmbëlsirat dhe brumërat.
- Ushqimet me shumë kripë- Produktet me kripë i japin shije ushqimit duke bërë që të konsumojmë më shumë në sasi, megjithatë kripa është e rrezikshme për shëndetin pasi shkakton rritjen e tensionit të gjakut. Shumë produkte të gatshme apo gjysmë të gatshme përmbajnë shumë kripë. /Delimano-ks.com /Limit.al