Tirana marshon drejt titullit, barazim me “shije” fitoreje ndaj Partizanit

Emocione, spektakël, tensione, gola të mrekullueshëm dhe në fund një barazim 1-1. Ky ishte epilogu i derbit të kryeqytetit Tirana-Partizani, që në këtë sezon dy rivalët e përjetshëm të njëri-tjetrit luftojnë për fitimin e titullit kampion.

1 pikë e artë për Tiranën, që ka vlerën e një triumfi të madh, pasi i afrohen gjithnjë e më shumë trofeut, ndërsa Partizani do shpresojë te një hap fals i bardhebluve në ndeshjet e mbetura.

Super përballja nisi mirë për bardheblutë, që dhanë sinjalin e parë që në minutën e 7-të. Elvi Berisha shumë pranë portës, godet jashtë katërkëndëshit, duke shpërdoruar një rast të artë.

Edhe të kuqtë shpërdorojnë një rast flagrant, në fundin e pjesës së parë.

Maguette jep nje pasim perfekt për Da Silven, por braziliani ‘fal’ Tiranën me portën e boshatisur.

Pjesa e parë e lojës u mbyll pa gola.

Skuadra e Colellas e nis mirë 45-minutëshin e dytë, duke gjetur golin e epërsisë në minutën e 53-të.

Victor Da Silva kësaj radhe nuk gabon shënjestër dhe mposht Visar Bekajn, duke bërë që të shpërthejë festa në kampin e kuq.

Ndeshja u ndërpre për disa minuta, pas hedhjes në fushë të flakadanëve dhe kapsollave nga ana e tifozëve të Tiranës.

Pas rifillimit të lojës, të besuarit e Orges Shehit u hodhën në sulm, me synim gjetjen e golit të barazimit dhe këtë gjë e arrijnë në minutën e 81-të.

Ardit Deliu lëshoi një predhë nga distanca, duke mposhtur portierin Rexhepi e duke shënuar një gol fantastik.

Minutat e mbetura të lojës nuk prodhuan më rezultat dhe derbi mbyllet në ‘paqe’.

Kur na ndajnë edhe tri javë nga fundi, ekipi bardheblu udhëheq renditjen e Kategorisë Superiore me 60 pikë, ndërsa ‘demat e kuq’ i ndjekin në vend të dytë me 58 pikë./Limit.al