Ballina Kryesore “Luftë” për mbijetesën dhe Europën, Vllaznia mposht Teutën, fitore shprese për Bylis,...

“Luftë” për mbijetesën dhe Europën, Vllaznia mposht Teutën, fitore shprese për Bylis, Kastrioti e Kukësi

Superliga shqiptare është ‘ndezur’ në fundin e saj, kur kanë mbetur edhe tri ndeshje, për të përcaktuar kampionin, klubet pjesëmarrëse në Europë, si dhe ato që do bien nga kategoria.

Java e 33-të e Kategorisë Superiore rezervoi përballje interesante, mes skuadrave që luftojnë për mbijetesë dhe atyre që kërkojnë të kapin trenin e fundit drejt Europës.

Vllaznia mposhti Teutën në ‘Loro Boriçi’ me rezultatin 1-0. Çoba u dha fitoren shkodranëve, me golin e vetëm të sfidës në minutën e 12-të.

Kuqeblutë ngjiten në vendin e katërt me 46 pikë, 3 më pak se Egnatia e vendit të tretë, ndërsa durrsakët ndodhen ende pranë zonës së ftohtë të klasifikimit.

Kukësi ‘shkatërroi’ Laçin në impiantin e tyre me shifrat 3-0. Verilindorët morën një fitore të vyer, për qëndrimin në kategorinë e më të mirëve. Në ‘Kukës Arena’ takimi u zhbllokua nga një super gol i Ndrecës, në minutën e 59-të.

Braziliani Barbosa vendosi dopietë në minutën e 87-të dhe 92-të, duke vulosur suksesin e ekipit të tij.

Egnatia ngec në transfertë ndaj Kastriotit, teksa u mund 1-0.

Krutanët morën një fitore shprese, në luftën për mbijetesë, falë golit të realizuar nga Greca në të 80-n, duke shkuar në kuotën e 35 pikëve, ndërsa skuadra rrogozhinase mbetet në vendin e tretë me 49 pikë.

Bylis fiton në ‘Niko Dovana’ ndaj Erzenit me rezultatin 1-2 dhe tashmë u afrohet shijakasve me vetëm 3 pikë diferencë. Kaçorri ishte heroi i mallakastriotëve me golat e realizuar në të 59-n dhe të 85-n. Për Erzenin, Alan vendosi baraspeshën e përkohshme, në minutën e 79-të. Bylis renditet në vendin e 9-të me 36 pikë, ndërsa Erzeni në vendin e 8-të me 39 pikë./Limit.al