Të shtëna me armë zjarri në Peqin, plagoset ish-kryetari i PD, Policia në kërkim të autorit

Një plagosje me armë zjarri ndodhi mesditën e kësaj të mërkure në qytetin e Peqinit.

Një 55-vjeçar mbeti i plagosur, ndërsa autor i ngjarjes është një shtetas rreth 52 vjeç, i shpallur në kërkim nga Policia.

Limit.al mëson se i plagosur ka mbetur shtetasi Diell Çela, 55 vjeç, ish-kreu i Partisë Demokratike në Peqin, deri në vitin 2016.

Autor i plagosjes është shtetasi Sokol Dehima, i cili ndodhet në arrati, teksa uniformat blu kanë ngritur pika kontrolli dhe janë duke kontrolluar territorin, për kapjen e tij.

Paraprakisht dyshohet se shkaqet e ngjarjes nuk kanë të bëjnë me arsye politike.

Diell Çela ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

 

Njoftimi i Policisë:

Peqin/Informacion paraprak

Rreth orës 11:10, në spitalin e Peqinit, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, shtetasi D. Ç. 55 vjeç, banues në Peqin, i cili dyshohet se është dëmtuar me armë zjarri, gjatë një konflikti me shtetasin S. D., rreth 52 vjeç, banues në Peqin.   

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe janë duke kontrolluar territorin, me qëllim kapjen e autorit të dyshuar, shtetasit S. D.  

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./Limit.al