Mali i Zi, pjesë e stërvitjes së NATO-s “Defender Europe 23”

MALI I ZI- Qeveria e Malit të Zi bëri të ditur se në Portin e Tivarit ka nisur zbarkimi i mjeteve dhe pajisjeve të NATO-s në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 23”, e cila do të zhvillohet në disa vende të rajonit.

“Defender Europe 23 “ udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtë vit mbledh mbi 25,000 ushtarë të NATO-s me partnerë të saj. Qëllimi i stërvitjes është të forcojë gatishmërinë dhe ndërveprimin e pjesëmarrësve përmes praktikimit të një reagimi të shpejtë dhe të përbashkët ndaj krizave të mundshme në zonën e Europës Lindore”.

Aktiviteti në Portin e Tivarit është pjesë e mbështetjes logjistike për “Defender Europe 23”, ku mjetet dhe pajisjet e shkarkuara do të kalojnë përmes territorit të Malit të Zi drejt vendeve të tjera pjesëmarrëse në stërvitje pa shumë vonesa.

“Është kënaqësi të shoh që ushtarët tanë kanë arritur një nivel të mirë ndërveprimi dhe kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për forcat aleate. Më vjen mirë që dëgjoj aleatët tanë nga SHBA të shprehin vlerësimet më të mira për mikpritjen dhe aftësitë tona të zhvilluara deri më tani”, tha sekretari i shtetit të Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi, Krsto Peroviq.

Ai kujtoi se kjo është hera e parë që në Mal të Zi kryhen operacione të tilla të mëdha zbarkimi nga deti, dhe nga data 22 maj deri me 1 qershor do të nisë në vendin tonë stërvitja “Immediate Response 23”, si pjesë e Defender Europe 23, gjatë së cilës ushtarët malazezë dhe amerikanë ndërmarrin operacione të përbashkëta tokësore.

Pjesëtarët e forcave të armatosura në stërvitjen “Defender Europe 23” do të marrin pjesë edhe në stërvitjet në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci. Gjatë kësaj jave do të vazhdojnë aktivitetet e zbarkimit dhe transportit të pajisjeve të aleatëve të NATO-s përmes Malit të Zi./VOA-Limit.al