KOSOVË– Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur që nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës mund të hyjnë në këtë shtet pa vizë. Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian, por është pjesë e Zonës Schengen.
Në prill, Bashkimi Europian vendosi që shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet anëtare të bllokut, duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Këshilli Federal tha përmes një njoftimi se Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat për heqjen e vizave, në kuptim të sigurisë, kontrolleve kufitare dhe të menaxhimit të migracionit, shkruan REL.
Të gjithë shtetasit e Kosovës do të mund të hyjnë në Zvicër vetëm me pasaportë biometrike dhe mund të qëndrojnë deri në 90 ditë. Kjo kohëzgjatje vlen edhe për qëndrimin në 27 shtetet e BE-së.