31 vjeçarja me origjinë shqiptare, Sindi Manushi, e cila ka përfunduar studimet për drejtësi, është zgjedhur kryebashkiake në Pieve di Cadore, në zonën Belluno, në zgjedhjet vendore që u mbajtën të dielën në Itali.

Ajo ka lindur në Shqipëri por ka 22 vite që jeton në Itali. “Corriere della Sera” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë vajzës me orgjinë shqiptare, e cila arriti një fitore, e cila nuk ishte aspak e lehtë.

Gjatë intervistës ajo shprehet se është krenare për origjinën e saj shqiptare, pavarësisht se ka një kohë të gjatë që jeton në Itali dhe ndihet tërësisht një qytetare italiane.

“Jam krenare për origjinën time shqiptare, por kam një kohë të gjatë në Itali dhe ndihem me të gjitha një qytetare italiane. Unë kam jetuar gjithmonë në Pieve di Cadore, përveç një paranteze universitare në Trento, për të përfunduar studimet për drejtësi. Edhe pse në Shqiperi kapet sinjali i Rai, jam rritur me Tg1. Që fëmijë kam qenë gjithmonë e apasionuar pas lajmeve dhe politikës, jam rritur edhe me Carrà-n dhe Sanremon”.

Manushi, gjatë intervistës për median italiane, shprehet se ka qenë gjithmonë e apasionuar pas politikës dhe çështjeve publike, por nuk kishte plane që të angazhohej.

“Vetëm para disa muajsh më lindi kjo ide. Unë shoh një Pieve shumë të përgjumur dhe një strukturë sociale të dobët nga pandemia. Kemi humbur në një farë mënyre sensin e komunitetit, pasi ka më shumë individualizëm. Nuk kemi bërë premtime të mëdha. Ne duam të jemi një urë komunikimi mes Bashkisë dhe qytetarisë. Administrata ime do të bazohet tek  dialogu.”- shprehet Manushi.