Ballina Aktualitet KQZ publikon SHIFRAT: Deri në orën 17:00 pjesëmarrja është 34.54%! Përplasje dhe...

KQZ publikon SHIFRAT: Deri në orën 17:00 pjesëmarrja është 34.54%! Përplasje dhe incidente në Elbasan

TIRANË– Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat e fundit sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje. Sipas KQZ-së deri në orën 17:00 kanë marrë pjesë në votime 34.54% e qytetarëve që kanë të drejtë vote. Kjo është një pjesëmarrje e ulët krahasuar me zgjedhjet e viti 2021 ku votuan 43.89% e qytetarëve.

Ndërkohë këto zgjedhje janë shoqëruar me incidente të shumta dhe përplasje mes palëve. Pas raportimeve në media për tensione në disa qendra votimi në Elbasan ka reaguar dhe Policia, e cila përmes një njoftimi ka dhënë dhe detaje. Sipas bluve të Elbasanit një grup vezhguesish janë paraqitur në qendrën e votimit pa beixh ndërsa një tjetër është larguar pasi dyshohej se intimidonte votuesit.

NJOFTIMI I POLICISË

-Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2422/1, në Mengel, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi vëzhguesit ishin paraqitur pa beixh për procesin zgjedhor dhe pa dokument identifikimi.

Punonjësit e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë ndërhyrë në Qendrën e Votimit dhe pas verifikimit të situatës, vëzhguesit që nuk kishin mjete identifikimi janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë.

Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas rifillimit të procesit të votimit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.

-Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2930/01, në Bradashesh, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, për të larguar nga Qendra e Votimit, shtetasin E. Ll., pasi dyshohej se po ndikonte tek votuesit.

Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pas verifikimit ka rezultuar se shtetasi E. Ll. kishte ndihmuar fqinjin e tij për të votuar, por nuk kishte ndikuar në zgjedhjen e tij.

Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas verifikimit të rastit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.

-Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2373, në lagjen “Partizani”, ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi njëri nga vëzhguesit e Qendrës së Votimit kishte debatuar me operatoren e kësaj Qendre.

Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pasi kanë sqaruar situatën, janë larguar nga Qendra e Votimit, po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit. Për të trija rastet është vënë në dijeni edhe prokurorit i gatshëm.