TIRANË– Është mbyllur procesi i numërimit të votave në tre bashkitë ku për herë të parë u aplikua votimi elektronik. Bëhet fjalë për bashkinë e Elbasanit, Kamës dhe Vorës. Të tre bashkitë janë fituar bindshëm nga Partia Socialsite.
Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve Rakip Suli në Kamës ka fituar me 60.65% të votave. Arjan Hoxha ka marrë 35.11 % ndërsa kandidati i grupimit të Enkelejd Alibeajt Bilbil Bajraktari ka marrë vetëm 4.24% të votave.
Dhe Bashkia e Vorës është fituar bindshëm nga e majta që në këto zgjedhje kandidoi me Blerim Sherën ndërsa përballë tij ishte Indrit Hoxha nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Blerim Shera ka marrë 74.3 përqind të votave ndërsa Indrit Hoxha vetëm 25.72 përqind.
Në Elbasan gara ka qenë më e fortë. Gledian Llatja ka fituar përballë Luçiano Boçit me vetëm 10% të votave. Sipas shifrave zyrtare nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve Gledian Llatja ka marrë 55.03% ndërsa Luçiano Boçi 44.97%.
Ndërkohë ka nisur procesi i dorëzimit të materialeve zgjedhore pranë KZAZ-ve ku do të nisë dhe procesi i numërimit të votave me gjasë para mesnatës./Limit.al